Messi shuan dyshimet: Nuk do të marr pjesë në Botërorin e ardhshëm

Pak muaj më parë ai realizoi ëndrrën e tij të madhe duke fituar titullin në Botërorin e Katarit me Kombëtaren e Argjentinës.

Lionel Messi luajti në Botërorin e 5-të dhe shumë pas transferimit të tij në Inter Miami besuan se ai do të luajë edhe në Botërorin 2026 që do të organizohet nga SHBA, Meksika dhe Kanadaja.

Por Messi ka një mendim tjetër. Nga Kina ku është për ndeshjet e Kombëtares ai bëri me dije planet e së ardhmes.

“Nuk mendoj se do të marr pjesë në Botërorin e ardhshëm. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por nuk kam ndryshuar mendim për këtë. Do të doja të isha atje për ta parë, por nuk po marr pjesë.

Pas fitores së Kupës së Botës që ishte një objektiv i madh, jam i kënaqur dhe mirënjohës për karrierën që kam pasur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Mendoj se ishte Botërori im i fundit”, tha ylli argjentinas.


Shtuar 13.06.2023 18:15