Këtë të enjte, qytetarë të shumtë kanë dalë në protestë, për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pak ditë më parë në dyert e shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, Florina Cani, ka dërguar një mesazh në protestën e organizuar para Ministrisë së Arsimit për të birin.
Në mesazhin e lexuar nga një prej protestuesve, nëna e të miturit shprehet se ikja e Martinit i ka lënë një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë.
Florina Cani, falenderoi shqiptarët për mbështetjen, si edhe qytetarët që i dhanë ndihmën e parë djalit të saj, i cili humbi jetën në spital pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.
Mesazhi:
“Na ka lënë pas një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Falenderoj popullin shqiptar për mbështetjen në këto momente të vështira. S’di sa mirënjohëse jam për ata që ju gjenden aty Martinit në momentet e tij të fundit. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Si nënë që jam uroj që askush të mos provohet më një dhimbje të tillë. Me respekt Florina dhe Angel Cani”, shkruan ajo.