Mesazh për Shkupin nga Gjermania, Franca dhe Polonia

Integrimi evropian tani është ne duart tuaja. Miratoni ndryshimet kushtetuese dhe bëhuni pjesë e Bashkimit Evropian. Ky ishte mesazhi i tre diplomatëve të lartë nga Gjermania, Franca dhe Polonia pas takimit me autoritetet më të larta politike në Maqedoninë e Veriut.

Fazë kritike për të ardhmen e vendit

Sekretarja e shtetit për Evropën dhe Klimën pranë MPJ të Gjermanisë, Anna Lührmann, e quajti momentin aktual politik në Maqedonisë së Veriut si fazë kritike për të ardhmen e vendit. Ajo kërkoi nga liderët politikë që të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

“Këto ndryshime do ta bëjnë Maqedoninë e Veriut shembull të një shteti multi-etnik. I inkurajojmë të gjithë personat, dhe aktorët politikë në RMV që ta mbështesin qeverinë që ta tejkalojë këtë hap të rëndësishëm, i cili çon drejt BE-së”, tha Lührmann.

Sekretari francez i shtetit për BE-në, Llorens Bun, thënë se ky shans që i jepet Maqedonisë së Veriutduhet të shfrytëzohet nga politikanët vendas. “Ky diskutim rreth ndryshimeve kushtetuese nuk do të shoqërohet me kërkesa të reja nga pala bullgare, apo nga ndonjë vend tjetër dhe kështu RMV në mënyrë automatike do të jetë në fazën e negociatave. Dua të jem i qartë, ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Bun.

Ballkanit Perëndimor ka mbështetje të fuqishme nga Polonia

Diplomati polak, Shimon Shinkovski, tha se e kupton zhgënjimin e RMV-së për shkak të progresit të ngadaltë drejt aderimit në BE, duke shtuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbështetje të fuqishme nga Polonia. “Vendimi tani gjendet në duart e klasës politike në Maqedoni, dhe janë dakorduar ndryshime në kushtetutë në mes mes RMV dhe BE e të cilat ndryshime do t’ju mundësojnë që të vazhdoni në hapin tjetër, apo më mirë të them hapin më vendimtar integrimin në Bashkimin Europian, dhe ky do të jetë një vendim serioz për RMV”, tha Shinkovski.

VMRO-DPMNE: Nuk pranojmë ndyshime nën diktatin e Bullgarisë

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në takimin me treshen e Vajmarit edhe një herë u shprehkundër ndryshimeve kushtetuese. “Mbetemi në qëndrimin se ndryshimet kushtetuese në rrethana të diktatit politik nga fqinjësia nuk janë të pranueshme. Roli i fqinjve duhet të jetë rol mbështetës i integrimeve tona euroatlantike, e jo të mohohet identiteti kombëtar maqedonas.

Po për BE-në por jo për shantazhet nga ana e Bullgarisë, e cila nuk ofron asnjë siguri se procesi i integrimeve evropiane nuk do të bllokohet përsëri për çështje irracionale, të cilat Bullgaria duket se ende i ka ndaj Maqedonisë”, deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Shumica parlamentare humbet tre deputetë

Ndërkohë qeveria ka miratuar nismën për ndryshimet Kushtetuese. Tani janë në vijim procedurat që ajo të dorëzohen në Kuvend. Por shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut humbi më 18.07. tre deputetë, duke e rrezikuar kështu jo vetëm miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por edhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tani numri i deputetëve të pozitës në Kuvend ka rënë nga 64 në 61, që do të thotë se mjafton largimi vetëm edhe i një deputeti që opozita të ngrejë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexheti, ka njoftuar se largohet nga BDI-ja dhe se do të formojë një lëvizjeje të re politike. Atij iu bashkua edhe një deputet tjetër i BDI-së, si dhe një deputet i pavarur, i cili më parë mbështeste politikat e BDI-së./dw


Shtuar 19.07.2023 09:00