Mesazh për mazhorancën? Yuri Kim: Lidhja SHBA-Shqipëri kapërcen çdo qeveri e udhëheqës

Ambasada e SHBA në Shqipëri, ka ndarë në Facebook, mesazhin e ambasadores Yuri Kim në dokumentarin e 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Kim ka sqaruar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe ka theksuar se lidhja mes mes SHBA dhe Shqipërisë që kapërcen çdo qeveri, udhëheqës apo person.

“100 Vjet Bashkë: Në nder të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ambasada e SHBA në Tiranë organizoi mbrëmjen e djeshme shfaqjen e premierës së një dokumentari të veçantë që përkujton historinë e marrëdhënies. Midis të ftuarve ishin zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, politikanë, akademikë, sipërmarrës, përfaqësues fetarë, ushtarakë, media, shoqëri civile dhe të rinj. “Shpresoj të bindeni edhe më shumë se lidhja mes vendeve tona është e veçantë, e fortë dhe do të zgjasë. Është një lidhje që kapërcen çdo qeveri, udhëheqës apo person. Është një lidhje mes dy popujve me besimin e përbashkët në liri, demokraci, prosperitet dhe drejtësi. Është një lidhje që nuk mund të thyhet.” – thotë në dokumentar ambasadorja Yuri Kim. Dokumentari i 100-vjetorit është një prodhim i përbashkët i TV Klan dhe ambasadës së SHBA. Dokumentari i plotë do të transmetohet së shpejti në TV Klan, ndaj na ndiqni në vijim për më shumë detaje”, thuhet në mesazh.

Kujtojmë se procesi i zgjedhjes kreut të SPAK ka sjellë një krisje të marrëdhënieve mes ambasadores amerikane dhe qeverisë.

Duket se Ambasada ka marrë sinjale të qarta për përpjekje për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, ndryshe nuk shpjegohet këmbëngulja publike dhe e vazhdueshme ndaj kësaj çështje. Fillimisht ambasadorja Kim e ngriti shqetësimin sapo KLP miratoi tre kandidatët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Ndërsa dy ditë më parë, duke folur në një aktivitet të Këshillit të Lartë Gjyqësor deklaroi se emërimet në institucionet e Drejtësisë nuk duhet të shënojnë një kthim në të shkuarën.

Në mesin e këtyre pikëpamjeve të saj, ministria e Jashtme shqiptare, në mënyrë të papritur dhe në shkelje të praktikave diplomatike, nxori një njoftim se kishin nisur procedurat e zëvendësimit të ambasadores Kim, e ardhur në Shqipëri në janar të vitit 2020.

Por Kim deklaroi, qartazi si përgjigje ndaj ministrisë së Jashtme, se “do të qëndroj dhe ca më gjatë” se mandati që si rregull zgjat 3 vjet.

Kurse kryeministri Rama i pyetur nëse ka një krisje marrëdhënieje me ambasadoren u shpreh se ngjitja e tyre është më e fortë se kurrë./albeu.com