Mes lotësh, përcillen për në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Kola (VIDEO)

Dhimbja është e papërshkrueshme në Gryksh të Madh të Peqinit këtë të enjte, ku në çdo cep të fshatit ndihet heshtja e rëndë, lotët që nuk ndalen dhe zemrat e thyera për Artin, Jonidën, Hajdarin dhe Xhesikën Kola, familjen që u shua tragjikisht në Itali javën e kaluar, duke lënë pas një boshllëk që askush nuk di si ta mbushë.

Të afërmit mezi gjejnë fjalë për të përshkruar atë që po përjetojnë.

“Na iku një familje e tërë… Na u mbyll dera e shtëpisë”, thotë mes lotësh një nga familjarët.

“Arti ishte shtylla e familjes, një jetë e tërë në emigrim që pa mbushur ende 14-vjeç. Ishte njeri punëtor e i qetë. Jonida ishte zemra e shtëpisë. Fëmijët… ishin drita e syve të tyre. Si ta përballosh një dhimbje të tillë”?

Në oborrin e shtëpisë, ku ishin mbledhur të afërmit, miqtë dhe qindra bashkëfshatarë, sot mbizotëronte zia. Fqinjët qëndronin të heshtur, të mbledhur pranë njëri-tjetrit për të ndarë dhimbjen.

“Nuk kemi parë kurrë një tragjedi të tillë. Është si të na jetë këputur një pjesë e shpirtit”, shprehet një fqinj i vjetër.

“I njihnim prej vitesh. Ishin njerëz të thjeshtë, të dashur, që nuk i bënin keq askujt”.

Një tjetër banor shton: “Fshati Gryksh i Madh sot është në zi. Nuk është vetëm dhimbja e familjes së tyre, është dhimbja e të gjithëve ne. Hajdari dhe Xhesika ishin fëmijë të mbarë, plot ëndrra. Nuk e besojmë ende që nuk do t’i shohim më”.

Lotët, përqafimet dhe fjalët e ngushëllimit nuk mjaftojnë për të lehtësuar plagën e hapur nga kjo tragjedi e katërfishtë. “Kjo është një dhimbje që nuk kalon kurrë”, thotë një e afërme.

“Do të jetojmë me kujtimin e tyre çdo ditë”. Grykshi i Madh sot nuk është thjesht një fshat në zi, por një komunitet i tërë i bashkuar në dhimbje, që përkulet me respekt para kujtimit të një familjeje që u nda nga jeta tragjikisht në dhe të huaj, shumë herët, duke lënë pas mall, trishtim dhe një plagë që nuk do të shërohet kurrë.

Ajo do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithëve si një nga tragjeditë që preku thellë njerëzit, këndej dhe përtej detit.