Fillimi > -Kronikë
“Merrnin deri në 500 mijë lekë”/ Abuzime me skemat e mbështetjes për fermerët, pezullohen 2 inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të DBP-së, në kërkim një tjetër
28 Nëntor, 2025 11:37
Policia Korce
Madhësia e tekstit:
Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play
Finalizohet nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një periudhe hetimi prej 18-muajsh, operacioni policor i koduar “Green Code”.
Pasqyronin të dhëna të rreme në aktet e verifikimit gjatë kontrollit në fermat e përfituesve nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët, pezullohen nga detyra 2 inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të DBP-së.
Shpallet në kërkim 1 inspektor i AZHBR-së.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, pas një hetimi 18-mujor të kryer me metoda speciale të hetimit, finalizuan operacionin policor të koduar “Green Code”, si rezultat i të cilit:
u pezulluan nga detyra, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim”, shtetasit A. M., 33 vjeç dhe J. Z., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektorë në AZHBR;
D. Ç., 57 vjeç, dhe F. I., 54 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.
për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim”, ndaj shtetasve E. Gj., 56 vjeçe, banuese në Pogradec, me detyrë veterinere kontrolli, dhe P. R., 66 vjeç, B. B., 28 vjeç, dhe E. F., 33 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë shërbimi pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i AZHBR-së, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e verifikimit dhe të kontrollit në fermat përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët. Punonjësit e AZHBR-së nuk kryenin kontrolle dhe verifikime në terren për gjendjen faktike të kafshëve, duke përfituar në mënyrë korruptive shuma parash nga 10 000 – 50 000 lekë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.
Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës.
