Një 47 vjeçar turk, i dënuar më parë në Gjermani, është vënë në pranga në aeroportin e Rinasit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për menaxhimin e një grupi kriminal.
I arrestuari me iniciale M. T., alias T. N. ishte dënuar me burg nga Gjykata e Gyor-it në Hungari, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të kufirit dhe menaxhimi i një grupi kriminal”.
Njoftimi i policisë:
Rinas / Vijon bashkëpunimi i pandërprerë ndërmjet Policisë Kufitare, ZQK Interpol Tirana dhe partnerëve europianë.
Arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, një shtetas turk, i kërkuar ndërkombëtarisht, për menaxhim të një grupi kriminal me aktivitet në dhënien ndihmë, për kalimin e paligjshëm të kufijve shtetëror.
I arrestuari, i dënuar më parë në Gjermani.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve të shtuara me pajisjet bashkëkohore, dedektuese, analizës së riskut, intervistimit të thelluar dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasin turk të kërkuar ndërkombëtarisht:
– M. T., alias T. N., 47 vjeç, banues në Stamboll, pasi Gjykata e Gyor-it, Hungari, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të kufirit dhe menaxhimi i një grupi kriminal”, parashikuar nga Kodi Penal i Hungarisë.
Gjatë verifikimeve, ka rezultuar gjithashtu, se 47-vjeçari ishte i dënuar më parë edhe në Gjermani.
Vijojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, për ekstradimin e këtij shtetasi.