Meloni: Nëse Shqipëria realizon çështjet teknike dhe kjo përkon me presidencën e Italisë, ne do e ndihmojmë në negociatat për anëtarësimin në BE

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ndau të njëjtin mendim me homologun shqiptar Edi Rama gjatë konferencës për shtyp, që Shqipëria të arrinte të çelte negociatat e anëtarësimit për BE gjatë presidencës së Italisë në BE në fillim të vitit 2028.

Ajo u shpreh e gatshme të ndihmonte vendin tonë edhe në reformat që duhen dhe çështjet teknike, teksa shprehu gatishmërinë e plotë të ndihmonte Tiranën zyrtare në negociata, nëse ajo do plotësonte të gjitha çështjet e karakterit teknik të vendosura nga BE.

“Mund ta nënshkruaj qetësisht dhe tërësisht përgjigjen e kolegut. Padyshim, nëse ne duam të mbërrijmë në atë që do bëjmë pjesën tonë në hapjen e negociatave politike, në fillim duhet të mbyllim ato teknike. Dhe siç e thashë më parë, shpresoj që kjo gjë të përkojë me marrjen e kryesisë nga ana e Italisë. Nëse kjo ndodh ne do bëjmë çdo gjë për të ndihmuar Shqipërinë në atë kohë. Sigurisht duke e ndihmuar atë në fazën teknike, me seriozitet, por edhe brenda afateve të nevojshme për ta bërë këtë. Sigurisht që është një kohë për të mbyllur negociatat teknike nga tani deri në vitin 2028, por ajo që dua të them është se këtë kohë, kundrejt burokracisë evropiane mund të mos ketë shumë kohë, ne tashmë e dimë këtë. Ndaj ka një punë për të bërë së bashku”, tha Meloni.

Shefja e ekzekutivit të vendit fqinj u shpreh e gatshme që me ekspertë të drejtësisë italiane të ndihmonte homologët shqiptarë në realizimin e reformave të drejtësisë në çështje legjislacioni dhe ato penale.

“Solla edhe shembullin e diskutimit gjatë drekës që patëm, ku fakultetet tona të drejtësisë mund të jepin si ndihmë drejtpërsëdrejti në hartimin e Kodit Penal dhe jo vetëm, do ishte një grup njohurish, që Italia të japë në rreze 360 gradë, gjë që Italia e bënë në shumë sektorë të tjerë, sepse Italia është dhe ka qenë djepi i së drejtës. Ndaj është me rëndësi të them që të jemi në të së bashku”, u shpreh Meloni.


Shtuar 13.11.2025 16:23

Tags: ,