Meloni merr vendimin, çfarë ndodh me mjekët dhe infermierët e pavaksinuar kundër koronavirusit

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka njoftuar se mjekët dhe infermierët që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit do të mund të rifillojnë punën nga nesër. Vendimi i qeverisë Draghi parashikonte që punonjësit shëndetësorë të pavaksinuar të qëndrojnë jashtë vendit të punës deri në fund të vitit.

Meloni shpjegoi se me vendimin e sotëm, katër mijë mjekë dhe infermierë do të mund të rifillojnë punën, gjë që konsiderohet e dobishme për shkak të mungesave kronike të sektorit. Në të njëjtën kohë, qeveria e Romës vendosi përfundimisht që maskat mbrojtëse të vazhdojnë të përdoren në spitalet e vendit. “Në Itali, deri më tani kemi pasur një konfuzion të madh për çështjen e koronavirusit, duhet të punojmë me synimin për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë së qytetarëve ”, theksoi kryeministrja italiane.

Gjeorgjia Meloni nënvizoi se në mbledhjen e ardhshme të kabinetit – me shumë gjasa të premten – temë kryesore e diskutimit do të jenë parashikimet buxhetore të vendit dhe disa masa të para për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë.

“ Për momentin në qeveri nuk po përballemi me asnjë problem, jemi të bashkuar dhe me shumë entuziazëm, pavarësisht kohës së vështirë që po kalon vendi ynë ”, tha ajo në fund duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.


Shtuar 31.10.2022 18:38