Megi Fino zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari nënkryetar

Megi Fino është zgjidhur kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Romina Kukon. Ndërkohë Endrit Braimllari ka marrë postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Vajza e deputetit të ndjerë socialist, Bashkim Fino, Megi Fino, aktualisht shërben si zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga qershori i vitit 2021.

Ndërsa Brahimllari, ish-nënkryetar i Partisë së Lirisë, kandidoi për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por pa arritur të sigurojë mjaftueshëm vota për t’u bërë deputet.

Kush është Megi Fino

Megi Fino lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma i përfundoi në Pekin në vitin 2012. Më pas studioi drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC).

Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London. Fino u angazhua si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, me orientim asistencë sociale. Prej vitit 2018, ajo punoi si avokate në studion ligjore CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamoni në Tiranë, dhe më pas si eksperte rregullatore në departamentin ligjor dhe të marrëdhenieve me jashtë të kompanisë Vodafone Albania.

Në vitin 2021 Fino hartoi Indeksin e Integritetit, pjesë e projektit STAR 3 për reformën e qeverisjes lokale, duke shërbyer si këshilltare integriteti e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, si dhe njeh mire gjuhën kineze, italiane dhe greke. Megi Fino shërben si Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga qershori 2021.


Shtuar 10.06.2025 18:20