Një megaoperacion policor u zhvillua këtë të enjte në Elbasan. Dhjetëra efektivë RENEA dhe policie u përfshinë në operacionin, i cili shtrihej në dy pista, arrestimin e personave të dalë nga dëshmia e Nuredin Dumanit dhe goditjen e kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Aksioni policer ka çuar në arrestimin dhe shoqërimin e 50 personave, që dyshohet të jenë të përfshirë në veprimtrai kriminale.Policia dhe prokuroria pritet të dalin në një konferencë për mediat për të dhënë detaje të mëtejshme nga megaoperacioni.
Ndër të tjera u fol edhe për Talo Çelën, por sipas burimeve operacioni për kapjen e tij dështoi. Talo Çela, banues në Elbasan, është në kërkim për grabitje dhe dyshime për vrasje.
Ai vijon ta kryesojë listën e më të kërkuarve të Policisë. Një personazh i dyshuar për disa krime, por që aktualisht është në gjykim vetëm për grabitjen e Rinasit. Pas arrestimit në vitin 2021, Nuredin Dumani dëshmoi se bashkë me Talo Çelën kishin marrë pjesë në shumë krime. Por në fund Dumani pretendon se i kishin prishur marrëdhëniet me njeri-tjetrin duke u kthyer në armiq të betuar.
Të dy ata ishin betuar se do ta vrisnin njeri-tjetrin, ndërsa Nuredin Dumani kishte shënjestruar Çelën menjëherë pas vrasjes së shokut të tij Klevis Kapllani në shtator 2020 në Rrogozhinë. Pas kësaj ngjarje, Dumani vrau vëllain e Talo Çelës në Elbasan, ndërsa filloi edhe të kërkojë se ku mund të fshihej ai në rrethinat e këtij qyteti.
Ndonëse Policia nuk e gjente dot, Nuredin Dumani kishte rënë në gjurmët e Talo Çelës, duke mësuar deri diku bazën e tij. Në fakt Dumani pretendonte se këto informacione i kishte siguruar nga brenda radhëve të Policisë. Megjithatë Policia sërish bënte të paditurën për vendndodhjen e Çelës.
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, ai kishte shkuar pranë kësaj baze më herët, por ishte ndjerë i kërcënuar nga persona që gjendeshin aty pranë pasi ata kishin mbushur automatikun. Zona ku Nuredin Dumani e kishte pikasur Talo Çelën është ajo mes Cërrikut dhe Elbasanit dhe pikërisht aty iu bë edhe atentat nga persona të lidhur me atë.
Nuredin Dumani: “Teksa qëndroja në rrugën kur ikën në Cërrik, më janë afruar tri makina të tipit Audi, Benz CLS dhe një BMË. Nga makina BMË, ka zbritur një person dhe më është afruar drejt vendit, ku unë po qëndroja i parkuar.
Të tri makinat më shikonin mua dhe aty pata një parandjenjë të keqe. Unë fillova të lëviz me mjet, duke hyrë tek kryqëzimi i Papërit, në rrugën e që të çon në Cërrik. Pasi pashë që të tri makinat ikën në drejtim të Cërrikut, lëviza direkt dhe unë. …
Unë po shikoja gjithmonë djathtas, pasi doja të shikoja nëse kishte makina të tjera aty në parkim si dhe nëse ishin makinat e tjera që po më vëzhgonin. Por e humba vëmendjen nga krahu i majtë. Në sekondë dëgjova xhamat dhe breshëri automatiku. Kam kthyer kokën instinktivisht.
Pashë që ndaluan krismat. Kur ktheva kokën, pashë një makinë ngjyrë vishnjë dhe pas shoferit ishin 2 gjuajtës që kishin kallashnikov në dorë, të cilët nuk kishin zbritur por kishin dritare të hapur. Nuk i identifikova dot ata që kishin kallashnikovin, se kishin maskë. Por identifikova shumë mirë shoferin, ishte fiks ai që po kërkoja unë, Talo Çela. Duke e njohur strukturën e tij dhe mënyrën se si rrinte, jam i bindur që ishte ai.
Pastaj filluan breshëri, jam shtyrë nga krahu i djathtë dhe barkas kam prerë timonin për Peqin”.
Në këtë ngjarje Nuredin Dumani ka marrë një plumb në shpinë dhe pastaj është nisur në shpejtësi në drejtim të Fierit, ku edhe u arrestua nga policia.