Lufta kundër kanabisit, megaoperacion në Shkodër, 100 forca policore dhe 6 dronë kontroll në male (VIDEO)

Një operacion masiv i koduar “Alpe të pastra” për kontrollin e territorit malor po zhvillohet në Malësinë e Madhe.

Në operacion morën pjesë 100 forca policore dhe 6 dronë, me qëllim kontrollin e territorit malor për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Ky operacion do të zhvillohet në territorin e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në zonat me risk te lartë kultivimi.

Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë.

Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara.

Gjatë momenteve të para të kontrollit, janë evidentuar disa vende të hapura rishtas, ku dyshohet se në këto miniparcela mund të kultivohet kanabis, të cilat do të mbahen nën kontroll nga shërbimet e Policisë në vijimësi, me qëllim parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Operacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, në territoret malore në të gjithë qarkun Shkodër./Albeu.com/


Shtuar 29.04.2023 10:49