Mediat italiane ironizojnë Sarrin: Pa Taren mendonte se do bëhej si Fergusoni

Largimi i Igli Tares nga Lacio ka lënë pasoja në klubin bardhekaltër, i cili është në kaos të plotë dhe shumë larg pretendimeve që kishin në startin e këtij edicioni.

Eksperimenti i drejtimit nga dyshja Lotito-Sarri, pa shqiptarin që koordinonte merkaton dhe situatat brenda klubit, po sjell një atmosferë kaotike dhe divorci mes palëve duket shumë afër.

Humbja e fundit përballë Milanit ka thelluar edhe më shumë hendekun mes presidentit dhe trajnerit, i cili ankohet për gjithçka e tashmë nuk ka Taren që të mund të fajësojë.  Kështu, Lotito po mendon realisht largimin e trajnerit, edhe pse një kontratë prej 4 milionë eurosh në vit e tij është e vështirë të prishet pa penaltitete të rënda.

“Corriere Dello Sport”, në një analizë të situatës së bardhekaltërve, i cilëson të “pashërueshme” ndasitë që janë krijuar te Lacio. “Nuk ka hapësira diplomatike për të vendosur brenda ndasive të krijuara”, thekson ajo.

“Sarri thyen gjithçka, por ecën përpara, nuk është një tip që jep dorëheqjen, nuk e ka bërë kurrë. “Lojtarët e kërkuar nuk kanë ardhur, unë kërkova A, por më sollën X dhe Y”. Lotito nuk e ndan, për momentin. Por tani nuk mund të shohë klasifikimin dhe të qëndrojë shurdh ndaj disa sulmeve”, shkruhet në artikull.

“Duhej të ishte dyshja më e bukur e merkatos, e tregoi veten si një dyshe e pamundur. dhe vazhdon që nga qershori përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve dhe inkoherencës mes presidentit dhe trajnerit. Dhe mbetet, e gjithmonë do të jetë e tillë, çështje raportesh të besimit të tradhtuar, fuqie. Sarri, pa Taren, kishte besuar (ose e kishin bërë të besonte) se mund të bëhej Ferguson i Lacios”, shkruante ndër të tjera artikulli i gazetës sportive italiane.


Shtuar 2.10.2023 18:22