Media australiane vlerëson artisten shqiptare Donna Dafi: Një nga zërat më premtues të 2026-ës

Artistja me rrënjë shqiptare Donna Dafi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, teksa së fundmi portali australian i muzikës TAGG – The Alternative Gig Guide i ka kushtuar një artikull të veçantë, duke e cilësuar si një nga zërat më premtues të vitit 2026.

Në shkrimin e tyre, mediumi ndalet te projekti i saj më i ri muzikor, Primadonna, të cilin e përshkruan si një këngë të sofistikuar me energji magnetike dhe me një identitet të qartë artistik.

Vëmendje të veçantë i kushtohet refrenit me mesazh fuqizues personal “I’m not your Donna, not your primadonna”, që sipas tyre ndërthur ndjeshmërinë emocionale me forcën vokale të artistes.

TAGG shkon edhe më tej në vlerësim, duke e vendosur Donna Dafin në një linjë krahasimi me emra të njohur të skenës ndërkombëtare si Dua Lipa dhe Tate McRae, një paralelizëm që sugjeron potencialin e saj për një ngritje të rëndësishme globale.

Ky vlerësim nga një platformë ndërkombëtare muzike konsiderohet një sinjal i fortë për rrugëtimin e artistes, ndërsa viti 2026 shihet si një moment kyç që mund ta çojë Donna Dafin drejt një pranie edhe më të madhe në skenën botërore.


Shtuar 17.02.2026 18:37