Ditën e sotme, në kuadër të procesit për dosjen “Plumbi i Artë”, Elton Kila, i njohur ndryshe si Oti Kila, është paraqitur për të dëshmuar në GJKKO në cilësinë e viktimës së veprës penale, duke rrëfyer ngjarje që sipas tij, i kanë shkatërruar aktivitetin tregtar dhe kanë rrezikuar jetën e tij.
Në dëshminë e dhënë, Kila tregoi se prej më shumë se 25 vitesh merret me tregtinë e automjeteve, duke përfshirë import-eksportin dhe shitblerjen e makinave, si dhe menaxhimin e salloneve të automjeteve në qytetin e Elbasanit.
“Në vitin 2017 dhe në 2018 më kanë shkatërruar biznesin tim. Në 2017 ra zjarr jashtë servisit ku ndodheshin 30 automjete, u dogjën tre makina. Rasti nuk u zbardh kurrë. Edhe në 2018 ndodhi e njëjta gjë, por unë isha i arrestuar atë kohë. Në ditën e tretë të ndalimit, sërish u vu zjarr në biznesin tim dhe përsëri mbeti pa autor”, – u shpreh ai.
Sipas dëshmisë, Kila kishte qenë në paraburgim për shkak të një dokumenti që kishte ardhur nga Italia, dhe gjatë kësaj kohe mësoi përmes televizionit se biznesi i tij ishte përfshirë në zjarr.
Ai deklaroi se pas 45 ditësh u la i lirë, por asnjë informacion nuk iu dha për autorët e dy ngjarjeve.
“Nuk e di kush më dogji biznesin. Dëgjova emra, mes tyre edhe të Elio Bitrit. E njihja si person, e kisha takuar më parë, por pas kësaj u distancova dhe nuk kërkova më shumë. Thashë ‘ia kam lënë Zotit’”, shtoi Kila.
Kila deklaroi se ditën e plagosjes dhe arrestimit të Nuredin Dumanit, ndodhej në Gjermani me familjen.
“Kam parë në lajme për plagosjen dhe arrestimin e tij. Më vonë dëgjova se Dumani kishte qenë nisur për të më bërë atentat mua. Ma kanë thënë shumë njerëz, madje edhe një polic. Por nuk e besova, sepse nuk kam pasur kurrë asnjë përplasje apo lidhje me të”, tha ai.
Gjithashtu, i shtoi se nuk është fshehur dhe as nuk ka kërkuar mbrojtje, pavarësisht këshillave nga familja për të qëndruar jashtë vendit.
Në dëshminë e tij, Elton Kila, përmendi disa emra të njohur në qytetin e Elbasanit, duke theksuar se marrëdhëniet e tij me ta kanë qenë vetëm profesionale ose shoqërore.
“Me Florenc Çapjan kam pasur marrëdhënie pune, ndërsa Suel Çelën e njoh që kalama. Kam udhëtuar disa herë me të atin e tij për çështje biznesi. Marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë korrekte. Pas ngjarjeve, shkova dhe i takova babain dhe vëllain e Suelit, por jo vetë atë”, sqaroi Kila.
Ai tha se e njeh Luan Tabakun prej 30 vitesh, për shkak të funksioneve të këtij të fundit në doganë, ndërsa përmendi se me Erjon Alibejn nuk ka pasur asnjë kontakt, ndonëse kanë qenë në të njëjtin burg në një periudhë të shkurtër.
Kila sqaroi se në momentin kur ndodhi masakra e Bradasheshit, ndodhej në shtëpi pasi sapo kishte dalë nga burgu, ndërsa për vrasjen e Lulzim Bitrit, vëllait të Elio Bitrit deklaroi se ndodhej në një lokal aty pranë, por nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.
“Lulzimin nuk e kam njohur kurrë. Kam qenë aty afër kur ndodhi, por nuk kam pasur asnjë përfshirje”, u shpreh ai.
