Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, Maduro transferohet nga qelia me helikopter drejt New York-ut

Një autokolonë që transporton udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, është parë duke u larguar nga Metropolitan Detention Center në Brooklyn, New York, ku ai është mbajtur i ndaluar gjatë dy ditëve të fundit, nën akuza për trafik droge dhe armësh.

Maduro, i cili do paraqitet në një gjykatë të Nju Jorkut, doli nga një automjet i blinduar që ishte pjesë e autokolonës, i veshur me uniformë kafe paraburgimi, dhe më pas u drejtua drejt një helikopteri.

 

 

Pranë tij, gjithashtu në paraburgim dhe i shoqëruar nga forcat e rendit, është një person që duket të jetë gruaja e tij.

 

 

Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, do dalin sot para një gjykate në Nju Jork, ku do të përballen me procedurat fillestare gjyqësore.

 

 

Burgu ku u transferua Maduro

Burgu MDC Brooklyn, është themeluar në vitin 1994 dhe aktualisht strehon rreth 1,300 të burgosur, burra dhe gra.

Ai është burgu kryesor federal në qytet për të mbajtur të paraburgosur që presin të dalin para gjykatave federale.

Në të kaluarën, ky burg ka strehuar figura të njohura si Ghislaine Maxwell, e dënuar për përfshirje në abuzime seksuale, këngëtarin e hip-hop Sean Combs, si dhe ish-presidentin e Hondurasit Juan Orlando Hernández, i cili ishte dënuar për trafik droge.

Po ashtu, aty mbahet dhe Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e një drejtuesi të kompanisë UnitedHealth Group, në pritje të gjykimit.

 

 

Të burgosurit dhe avokatët e tyre kanë denoncuar kushtet e pahijshme dhe të ashpra të jetesës në këtë institucion.

Në vitin 2019, disa të burgosur mbetën në qeli të ngrira gjatë dimrit pas një zjarri që shkaktoi ndërprerje të energjisë dhe ngrohjes.

Në vitin 2024, dy të burgosur u vranë nga armë të improvizuar, sipas Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së, duke shtyrë autoritetet të ndërmarrin një operacion kundër dhunës dhe trafikut të paligjshëm brenda burgut.

Maxwell, që mbahej në MDC para dënimit të saj në 2021, kishte bërë të ditur praninë e mbeturinave dhe jashtëqitjes së brejtësve në qelinë e saj.

Megjithatë, Shërbimi Federal i Burgjeve raportoi në shtator 2025 se kushtet në burg janë përmirësuar, falë rritjes së personelit dhe reformave të tjera.

Mitchell Epner, ish-prokuror federal dhe tani avokat, vlerësoi se të gjithë të burgosurit në MDC Brooklyn janë në rrezik për dhunë nga njeri-tjetri, një rrezik që mund të jetë më i madh për dikë si Maduro, i cili mund të bëhet objektiv i bandave ose të burgosurve që kërkojnë famë.