“Me porosi të bufit, dolën të gjithë qyqarët duke sharë”, Balla paralajmëron opozitën: Nëse nuk vini në Komision për reformën zgjedhore dhe territoriale, do e bëjmë pa ju

Taulant Balla u ka bërë thirrje deputetëve të PD që deri javën e ardhshme të marrin pjesë në komisionet për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, do t’i bëjnë ndryshimet pa ta.

“Nëse deri javën e ardhme nuk vini për reformën zgjedhore dhe territoriale, nëse nuk vini do bëjmë ndryshimet pa ju. Ne ju ftojmë. Zgjedhjet e ardhshme lokale janë mes 15 prill dhe 15 majit 2027, ato të përgjithshme janë mes 15 prill dhe 15 majit 2029… ”, tha Balla.

Po ashtu kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë çel sot sesionin e dytë të kësaj legjislature, në një moment tejet pozitiv dhe krenarie ne arenën ndërkombëtare për Shqipërinë, e cila sapo është ftuar të marrë një rol tjetër të paimagjinueshëm deri pak vite më parë.

Sipas Ballës, ftesa e presidentit të SHBA Donald Trump për kryeministrin Edi Rama është një moment krenarie kombëtare.

“Presidenti i SHBA Donald Trump ka ftuar Kryeministrin Edi Rama, dhe përmes tij Republikën e Shqipërisë, për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e “Vendit Anëtar Themelues”, tha Balla.

“Shqipëria sapo është ftuar të marrë një tjetër rol të paimagjinueshëm pak vite më parë, ftesa e Trump, i cili e ka ftuar personalisht Edi Ramën dhe përmes tij Republikën e Shqipërisë t’i bashkohet një organizmi të ri ndërkombëtare, Bordi i Paqes.

Do të vlerësoja maksimalisht që dhe PD apo ajo që ka mbetur nga dikur ta vlerësojë këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Në fillim thatë s’ka ftesë, kur doli ftesa pastaj thanë që janë të gjitha vendet e OKB, pastaj na thanë se ftesa është e njëjtë edhe për presidentin e Argjentinës dhe Paraguait. Pastaj thanë që ftesa duhet e personalizuar edhe pse aty gabuan kur kujtuan që të dy ata presidentë janë miq të afërt me Trump sikurse për fat të mirë të shqiptarëve është dhe Rama.

Nuk është asnjë prej kryeministrave të Ballkanit perëndimor por vetëm Rama. Situata degradoi në kampin e qyqarëve ku me porosi të bufit të gjithë qyqarët dolën nëpër televizione. Sa i përket kësaj çështje nuk jemi vetëm pse jemi në NATO por sepse Rama është partner i besueshëm i SHBA.