Pesë persona u vendosën në pranga dhe dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, për shkak se kërcënuan me ‘sms’ dhe i shkuan në shtëpi kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Motivi ka të bëjë me mos grumbullimin në Kombëtare të Gentian Selmanit, portierit të Tiranës. I ati i tij dhe njëherazi presidenti i Klubit të Futbollit Iliria të Fushë-Krujës, Nazmi Selmani së bashku me tre djemtë futbollistë dhe tre persona të tjerë kanë kërcënuar Dukën.
Gentian Selmani (26-vjeç), aktualisht portieri i KF Tiranës në Superligë ka qenë pjesë e Kombëtares A dhe ka luajtur katër takime, ndërsa nuk u grumbullua nga Sylvinho për ndeshjet kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Nations League (7 dhe 10 shtator 2024).
Ky duket se ka qenë shkaku që i ati i Gentianit, Nazmiu me gjashtë personat e tjerë të përfshirë kanë kërcëuar Dukën, që nga ana e vet mësohet se ka thënë se “nuk ndërhyn në zgjedhjet e trajnerit”.