Gazetari Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka analizuar fjalimin e Edi Ramës në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Bushati tha se fjalimi i Ramës për drejtësinë dhe SPAK, është një tentativë për negocim, por jo me SPAK, por me ndërkombëtarët pasi e ndjen rrezikun që mund t’i vijë nga jashtë.
Bushati tha se Rama kërkon t’ju thotë ndërkombëtarëve se besimi te reforma në drejtësi po shkërmoqet në publik, por ai mund ta shpëtojë dhe garantojë reformën.
“Fjalimin e Ramës e pashë si ftesë për negocim. Jo me SPAK-un, sepse ai e di që për një mijë vjet nuk i vjen e keqja nga SPAK. Ai mendon se e ka përtej kufijve rrezikun.
Rama tha, më thirrën shokët socialistë dhe më kërkuan se ti je fajtori që i ke hapur kaq shumë rrugë kësaj drejtësie.
Pastaj tha çfarë po ndodh? Ne kemi patur personazhe publike, që kanë qenë mbështetës të reformës dhe sot më kërkojnë llogari, si intelektualë publikë, që kjo reformë ka dështuar. Por unë tha megjithëse i dëgjoj, jam i bindur se duhet të vijojmë përpara.
Rama i drejtohet ndërkombëtare, u thotë ju në 2016 ngritët një koalicion të madh pro reformës. Ky koalicion brenda PS dhe në publik po shkërmoqet. Unë jam garanti i vetëm që mund ta çoj përpara produktin tuaj, prandaj mua më ruani. Ky është në leximin tim, ftesa për negocim e Ramës. Po më godisni, më hani shokët por jo mua”, tha Bushati.
