DEKLARATË PËR SHTYP DREJTUESJA E TASK FORCËS PËR MONITORIMIN E ZGJEDHJEVE PD-ASHM, ALBANA VOKSHI
Gjetjet kryesore të raporteve, me përmbledhje, tregojnë se që nga muaji mars, kur kemi nisur të dërgojmë zyrtarisht, deri në ditët e fundit, është vënë re përshkallëzimi i blerjes së votës. Të gjitha raportet tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve të blerjes direkte të votës, veçanërisht në zonat rurale apo në komunitetet e varfra. Janë përdorur pagesa në para, ndihma ushqimore, koncentrat për blegtori, premtime për punësim informal në këmbim të votës. Ka video, dëshmi, foto dhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë dëshmuar se funksionarë dhe kandidatë të Partisë Socialiste po shpërndajnë para apo premtojnë përfitime financiare ose përfitime të tjera kundrejt votës.
Kategoria e tretë është keqpërdorimi i burimeve publike. Janë 13 milionë euro të shpenzuara për tendera, të quajtur “asfalt elektoral” apo për punime të tjera. Hedhje zhavorri, punime të tjera, janë para të taksapaguesve shqiptarë, punime pa standarde, të cilat janë denoncuar në SPAK apo në prokuroritë e rretheve. Janë godina publike, shkolla dhe platforma zyrtare të qeverisë që janë përdorur për propagandë në favor të Partisë Socialiste.
Kategoria e katërt, të cilën po e ndaj më vete sepse është shumë e rëndë në këndvështrimin e Partisë Demokratike dhe jo vetëm, është shkelja e ligjit zgjedhor dhe në veçanti të ligjit për arsimin parauniversitar dhe universitar. Për arsimin parauniversitar kemi keqpërdorim të fëmijëve në aktivitete partiake, shkollat janë kthyer në hapësira për propagandën e Partisë Socialiste dhe mësuesit janë detyruar të marrin pjesë në mitingje. Rasti më i fundit i denoncuar vetëm para pak minutash është urdhër direkt nga ana e Edi Ramës për të gjithë mësuesit dhe për të gjithë punonjësit e administratës arsimore që të marrin pjesë në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste. Por jo vetëm kaq – është kërkuar edhe të evidentojnë prezencën e të gjithë mësuesve apo stafit arsimor, me foto, me video, për të dëshmuar te eprorët e tyre se kanë qenë pjesë e mitingut përmbyllës.
Kategoria e pestë është manipulimi i votës së diasporës. Gjatë ditëve të fundit, koordinatorja politike për diasporën, zonja Jozefina Topalli, dhe këshilltari juridik i Partisë Demokratike, z.Franc Nuri, kanë evidentuar raste konkrete të manipulimit të votës së diasporës. Nuk do të ndalem gjatë në këtë pjesë.
Ajo që dua të theksoj më shumë është se Partia Demokratike ka krijuar një portal për krimin zgjedhor dhe në ndarje të këtij portali është “Muri i zi” i patronazhistëve. Po paraqesim, po publikojmë emra, me funksione, me qarqe, me bashki, patronazhistët e Partisë Socialiste. Është një punë në vijim. Ne falënderojmë çdo qytetar që po reagojnë dhe nuk po e pranojnë shantazhin nga ana e patronazhistëve, që po refuzojnë kërcënimin dhe shantazhin nga ana e tyre, që po denoncojnë si te faqja e Partisë Demokratike, te mjeti që kemi vënë në dispozicion, dhe të gjitha dëshmitë që na kanë ardhur dhe janë verifikuar nga strukturat e Partisë Demokratike i janë referuar KQZ-së, pranë së cilës kemi bërë denoncime zyrtare, mbi 200 denoncime zyrtare, dhe po ashtu i kemi referuar edhe strukturës speciale të krijuar në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme. I kemi referuar mbi 30 kallëzime zyrtare. Por gjithashtu kemi bërë edhe denoncime në faqen e portalit të publikuar nga ana e SPAK-ut.
Dua të vë në dukje faktin që në 2 ditët e fundit portali ka rënë. Ne nuk kemi mundur ta përdorim në këto 2 ditë për të bërë dhjetëra denoncime që na kanë ardhur nga ana e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, dhe kemi përdorur e-mailin e vënë në dispozicion vetëm për informacion shtesë. Shpresoj shumë që SPAK-u t’i marrë në shqyrtim të gjitha rastet e denoncuara.