Me çmim marramendës, Melania Trump nxjerr në ankand kapelen (VIDEO)

Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump po përgatitet të nxjerrë në ankand një koleksion të “Kreut të Shtetit”, siç është quajtur. Pjesë e koleksionit është  dhe një kapele, tha zyra e saj në një deklaratë. Vetëm kriptomonedha Solana do të pranohet për të blerë.

Kapelja do të jetë në dispozicion për shitje nga 11 deri më 25 janar, ekskluzivisht online, me një çmim fillestar prej 250,000 dollarë, ose rreth 1,416 Solana, sipas faqes së internetit të gruas së Donald Trump.

Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së saj, kapelen në fjalë zonja Trump e ka përdorur kur presidenti francez Emanuel Macron shkoi në Shtëpinë e Bardhë me gruan e tij Brigitte Macron në Uashington në prill 2018.

Kapelja është projektuar ekskluzivisht për Zonjën e Parë të SHBA nga stilisti i saj personal, francezo-amerikani Hervé Pierre.

Ankandi përfshin gjithashtu një pikturë me bojëra uji nga artisti francez Marc Antoine Coulomb, kapelja si dhe një vepër dixhitale NFT (Non Fungible Token) me të njëjtën bojëra uji.


Shtuar 4.01.2022 20:44