Në shtëpinë zikaltër të gjithë mendimet, ëndrrat, lidhen me Stambollin, me finalen e Champions League.
Simone Inzaghi dhe të besuarit e tij kanë përpara pengesën e fundit për ta shndërruar këtë sezon në histori suksesi, por kur kthen kokën pas, Inzaghi e kupton se kjo është një arritje e madhe, plotësisht e merituar.
“Ajo që kemi përjetuar në fushë është një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por është një finale plotësisht e merituar. Është një motiv krenari pasi kishte kohë që një skuadër italiane nuk luante një finale Championsi. Kundër Man.City nuk nisemi si favorit, por futbolli është i bukur pikërisht për këtë, të bashkuar mund të tregojmë se gjithçka është e mundur”, u shpreh Simone Inzaghi duke u ndalur në fund te sfida më drithëruese e këtij rrugëtimi, euroderbi përballë Milanit.”
“Kemi bërë gjithçka për të arritur deri këtu. Ndaj Milanit e dinim se do të ishte një sfidë ndryshe. Në sfidën e parë shënuam dy gola, por mund të kishim shënuar të paktën edhe një më shumë, por e kaluam këtë fazë me meritë. Dëshira për të sjell në shtëpi këtë trofe është jashtëzakonisht e madhe”, theksoi Inzaghi./Albeu.com/