Me apo pa Erdogan, Greqia dhe Turqia i kanë të gjitha shanset të zbutin marrëdhëniet midis tyre

Nga Kristo Rozakis “Kathimerini

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas tërmeteve të fortë të 6 shkurtit, marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Turqisë, po  tregojnë se e ashtuquajtura “diplomacia e tërmeteve”, i ka afruar me sukses të dyja vendet. Zyrtarët turq nuk po bëjnë më deklarata provokuese, ndërsa avionët luftarakë turq nuk

po shkelin më hapësirën ajrore greke, siç ndodhte gati përditë deri disa muaj më parë. Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe mediat turke e kanë pranuar me pozitivitet ndihmën e menjëhershme që ofroi Greqia pas tërmetit të fortë që goditi juglindjen e vendit, përfshirë dërgimin e një ekipi të reagimit ndaj fatkeqësive.

Për më tepër, presidenti Recep Tayyip Erdogan i dërgoi homologut të tij grek një mesazh urimi më 25 mars, që shënon fillimin e Luftës së Pavarësisë së Greqisë nga sundimi osman në vitin 1821, dhe e cila ka një rëndësi të veçantë për Greqinë.

Ndërsa kontributi i Greqisë në operacionet e kërkim-shpëtimit në vendin fqinj mund të kenë nxitur këtë ndryshim të papritur në qëndrimin e Turqisë, kjo nuk mjafton për një ndryshim thelbësor në politikën e Ankarasë ndaj Athinës.

Me gjithë shkatërrimet që shkaktuan, tërmetet ishin politikisht një fat për udhëheqjen aktuale turke, pasi politika e tyre e mëparshme i kishte shteruar të gjitha burimet e saj për shkak të përmasave serioze të kërcënimeve të bëra kundër Greqisë.

Sepse në një moment Erdoganit do t’i duhej që të vepronte pas kërcënimeve të tij, siç e theksoi edhe opozita turke, e cila e sfidoi presidentin që t’i zbatonte ato. Me këtë katastrofë natyrore, udhëheqja e Turqisë gjeti një mundësi unike për të modifikuar qëndrimin e saj ndaj Greqisë, duke përdorur trukun imagjinativ të reagimit gjoja emocional të shkaktuar nga qëndrimi grek, dhe duke e justifikuar atë para opozitës dhe opinionit publik turk.

Tani Turqia e sheh veten në prag të një kolapsi ekonomik, teksa tërmeti shkatërrues i shton një barrë të re prej dhjetëra miliarda eurosh ekonomisë së saj tashmë në krizë. Për këtë arsye, nevoja për ndihmën ekonomike të huaj ndihet veçanërisht nga lidershipi i vendit.

Në këto kushte rikthimi i kokës nga Bashkimit Evropian bëhet edhe më urgjent, pasi vetëm ky bllok ka fuqinë e nevojshme për të dhënë një kontribut kuptimplotë në rimëkëmbjen e vendit. Dhe riafrimi i Turqisë me Greqisë, vend anëtar i BE-së, mund të shpjegohet me këto terma.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shfaqur hapur pakënaqësinë e tyre mbi sjelljen e Turqisë ndaj Greqisë vitet e fundit, në një kohë kur të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe kur aleanca përballet me një luftë të krahun e saj lindor që është edhe segmenti më i brishtë.

Thelbi është nëse kemi të bëjmë me një ndryshim të përkohshëm apo të përhershëm të politikës turke ndaj Greqisë. “Diplomacia e tërmeteve” u shfaq në vitet 1990 dhe dha disa rezultate konkrete.

Gjithsesi ajo nuk e pengoi modifikimin e politikës turke në vitet e mëvonshme, që kulmoi me qëndrimin armiqësor që tregoi Turqia në vitin 2020, i cili çoi thuajse në një konflikt të armatosur, dhe në deklaratat provokuese të presidentit Erdogan në të kaluarën e afërt.

Për këtë arsye, nuk mund të jemi të sigurt nëse “shkrirja e akujve” muajt e fundit do të zgjasë pafundësisht dhe nuk do të shohim më në të ardhmen përsëritje të taktikave abuzive.

Zgjidhja e problemeve me vendet fqinje është thelbësore për të siguruar paqen e përhershme në Mesdheun Lindor. Një lloj afrimi në politikat e nivelit të ulët mund të mos garantojë bashkëpunim afatgjatë, nëse lihen të patrajtuara problemet themelore të politikave të nivelit të lartë.

Faza aktuale përfaqëson një dritare mundësie, të cilën Greqia duhet që ta shfrytëzojë për të rifilluar kontaktet eksploruese, duke çuar më pas në negociata zyrtare dhe ndoshta në bisedime për një marrëveshje për t’ia referuar mosmarrëveshjen mbi kufijtë e zonave detare Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Përndryshe, e ardhmja e marrëdhënieve greko-turke do të mbetet e zymtë, dhe do t’i nënshtrohet vetëm përmirësimeve rrethanore e të përkohshme, dhe do t’i japë mundësi Turqisë të zgjerojë mosmarrëveshjet ekzistuese, duke artikuluar pretendime të reja, të cilat mund të çojnë në një ndërprerje të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjithsesi, perspektivat për rifillimin e këtyre bisedimeve përkojnë me një periudhë në të cilën të dyja vendet po përballen me zgjedhjet e afërta, të cilat mund të anulojnë çdo iniciativë pozitive. Prandaj, duhet të ketë disa veprime përgatitore që të tregojnë vullnetin e dy shteteve drejt aktivizimit të mekanizmave për një afrim, dhe përkatësisht bisedimet eksploruese dhe masat e ndërtimit të besimit (CBM).

Çështja kryesore është përballja elektorale në Turqi. Sipas sondazheve, kreu i aleancës opozitare, Kemal Kilicdaroglu, duket se po shkon drejt një fitoreje komode. Nëse konfirmohen këto sondazhe, ai do të jetë presidenti i ri, me dy zv/presidentët që do të jenë kryebashkiakët aktualë të Stambollit dhe Ankarasë.

Ky trekëndësh është qartësisht më pro-evropian dhe pro-perëndimor sesa politika ambivalente e Erdogan, i cili synonte të zhvillonte një politikë të jashtme shumëplanëshe të një fuqie të mesme, me një rol udhëheqës në Mesdheun Lindor.

Edhe pse Kilicdaroglu është një nacionalist, unë besoj se nevojat aktuale të Turqisë, të kombinuara me ndikimin e dy zv/presidentëve dhe veçanërisht Ekrem Imamoglu, do të çojnë drejt një epoke të re në marrëdhëniet greko-turke. Ndërsa problemet do të mbeten, do të jetë e hapur një rrugë drejt zgjidhjes paqësore.

Por edhe në rastin e rizgjedhjes së Erdogan në detyrë, skenar që nuk mund të përjashtohet duke pasur parasysh fuqinë e tij të madhe në Turqinë rurale, atmosfera në marrëdhëniet greko-turke nuk do të jetë e njëjtë si në fillim të viteve 2020.

Me disa përpjekje dhe me shumë durim, unë jam i bindur që ne mund të arrijmë dialogun e dëshiruar dhe të kërkojmë baza të përbashkëta drejt sheshimit të mosmarrëveshjeve. Kjo qasje do t’i ulë të dyja vendet në tryezën e bisedimeve për herë të parë pas shumë vitesh, dhe në fund aty ku është e nevojshme, në GJND, pasi për disa çështje palët mund të kenë qëndrime diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme.

Shënim:Christos Rozakis është profesor në Universitetin e Athinës.


Shtuar 11.04.2023 11:43