Tragjedia e rëndë që ndodhi në ujërat e lumit Buna në Shkodër, ku Alma Arrazi me tre fëmijët u mbyt për shkak se bashkëshorti i saj, Erdgys Arrazi, ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj, është mbyllur me 4 vite burgim.
Ngjarja ndodhi më 3 Maj 2024, e cila tronditi vendin teksa policia gjeti të mbytur në lumë nënën dhe 3 fëmijët, tashmë ka vetëm një autor përgjegjës dhe ai është kryefamiljari, Erdgys Arrazi.
Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj, ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Arrazin, për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke dënuar Arrazin përfundimisht me 4 vite heqje lirie.
Gjyqtari konstatoi prova se i pandehuri Arrazi, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij, Alma Arrazi, duke shkaktuar tek ajo një gjendje ankthi dhe depresioni, që çoi në vetëflijim familjarët në ujërat e Lumit Buna.
E gjithë ngjarja ka nisur për shkak se Erdgys Arrazi, kishte krijuar një lidhje jashtë martesore, dhe presionin bashkëshortes ia bënte me qëllim që ajo të largohej nga banesa e tyre në Shkodër.
Herë pas here, Ergys Arrazi, i ka nxjerrë rrobat Almës në oborr dhe i ka djegur në sy të saj, si shenjë presioni psikologjik për t`u larguar nga banesa.
Njëherësh gjyqtari Nazaj, ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e akuzës të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj Erdgys Arrazit, me argumentin se nuk u konstatuan prova bindëse për faktimin e kësaj vepre penale.
Motra e Alma Arrazit, Gentjana Z., u ka treguar hetuesve të çështjes se gjatë kohës që ishte në konflikt me burrin, Alma Arrazi shkonte në banesën e saj, për t`u qetësuar.
“…qante gjithë kohës, ishte e tronditur edhe fëmijët e përjetonin këtë gjendje, pasi debatet bëheshin edhe në sy të tyre. Fëmijët dinin edhe emrin e të dashurës së babait, duke i dëgjuar në debat…”.
Gentjana është shprehur se ka foto ku e dashura e Erdgysit, mban në krah djalin e Almës.
“…herën e fundit që ka qenë tek Gentjana, Valentina (Kunata) ka marrë Almën në telefon duke i thënë që Ergysi ia kishte nxjerrë të gjitha rrobat jashtë, dhe u ka vënë flakën. Alma e priste atë veprim të Erdgysit, ai kishte thyer edhe një foto familjare të Almës me fëmijët dhe vetë ai, duke e shkelmuar. Në ato momente që Alma ka qenë tek shtëpia e motrës, ajo e ka dëgjuar Almën duke folur në telefon me përfaqësuesen e një shoqate, quhej Nevila dhe Alma i kërkonte ndihmë…”, – është shprehur në prokurori, motra e viktimës.