Përmes një postimi në rrjetet sociale, drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për të mbyllur TikTok-un për 12 muaj.
Topalli shkruan se mbyllja e TikTok u bë në kulmin e fushatës, ndërsa thekson se kryeministri Edi Rama është i frikësuar nga të rinjtë të cilët flasin lirshëm në këtë aplikacion komunikimi.
“Në kulmin e fushatës, vendosi të mbyllë TikTok-un – sepse e vetmja gjë që e shqetëson më shumë se pyetjet e gazetarëve janë të rinjtë që flasin lirshëm. Pse tani? Sepse ka frikë nga fjala e lirë. Një pushtet që shmang debatin dhe mbyll platformat e komunikimit, është një pushtet që e di se po humb kontrollin”, shkruan ajo.
Reagimi:
Një kryeministër që flet vetëm me veten dhe një qeveri që ka frikë nga debatet! 🚫🎭
Ministrat e Ramës nuk guxojnë të dalin në debate televizive. Vetë ai nuk shkon prej muajsh në parlament. Komunikon vetëm duke “biseduar” me komentuesit në Instagram – një monolog i mirëorganizuar, sikur flet me pasqyrën.
Dhe sot, në kulmin e fushatës, vendosi të mbyllë TikTok-un – sepse e vetmja gjë që e shqetëson më shumë se pyetjet e gazetarëve janë të rinjtë që flasin lirshëm. Pse tani? Sepse ka frikë nga fjala e lirë. Një pushtet që shmang debatin dhe mbyll platformat e komunikimit, është një pushtet që e di se po humb kontrollin.