Kontrolli i Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur hetimet për mbylljen e shtëpisë së fëmijës në Vlorë.
Reagimi erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Jetimores për mbylljen e këtij institucioni.
Auditi ka nisur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social, ku do të kalojë në skaner e gjithë procedura e ndjekur në zbatim të projektit “Për deinstitucionalizimin e institucioneve 2020-2021”.
KUJDESTARET
Ishin kujdestaret e jetimores ato të cilat ngritën shqetësimin mbi urdhrin e ministrisë për përshpejtimin e procedurave të birësimit dhe në rastet kur kjo nuk do të ishte e mundur, kthimin e fëmijëve të dhunuar pranë familjarëve të tyre biologjike. Punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë thanë se prej disa muajsh nuk po pranojnë më fëmijë, kjo për shkak se u është kërkuar që të boshatisin qendrën deri në fund të muajit dhjetor. Por ky ngut në zbatimin e projektit e bën të pasigurt të ardhmen e fëmijëve, kjo jo vetëm në rastin e birësimeve, por edhe atëherë kur merret vendimi për kthimin e të vegjëlve pranë familjeve të tyre biologjike. Kjo jo pa shkak, duke qenë se në pjesën dërrmuese fëmijët që sistemohen në jetimore janë fëmijë të dhunuar. Në këto kushte, rikthimi i tyre pranë familjeve biologjike do të vinte në pikëpyetje sigurinë e tyre. Kjo gjë konfirmohet edhe nga punonjëset e këtyre qendrave, të cilat kanë pohuar se kanë trajtuar fëmijë që vinin nga trauma të rënda familjare duke përmendur raste edhe të fëmijëve që vijnë nga prindër përdhunues. Sipas tyre, i gjithë procesi është mbajtur i fshehtë dhe aktualisht askush nuk ka dijeni për si do të procedohet në janarin e vitit 2022. Aktualisht, Shtëpia e Fëmijës në Vlorë ka 13 fëmijë të grupmoshave nga 0 deri në 5 vjeç.
PROJEKTI
Por çfarë parashikon projekti i Ministrisë së Shëndetësisë? Përveç ngritjes së klasave të prindërimit, parashikohet edhe garantimi i mbështetjes sociale dhe financiare për familjet që do të marrin në kujdestari të vegjlit. Por zbatimi i këtyre lehtësirave kërkon kohë, ndaj edhe ngutja për vënien në zbatim të projektit nuk bën gjë tjetër veçse i ekspozon këta fëmijë përballë rreziqeve nga më të ndryshmet, që nga kushtet për ushqim e deri te rreziku për t’u bërë viktima të dhunës apo abuzimit./albeu.com/