Mbyllen sportelet, Manastirliu: 6 shërbime të shëndetësisë kalojnë online

Që nga data 1 Maj në të gjitha institucionet kanë mbyllur sportelet, për t’i lënë vend dorëzimit apo marrjes së dokumenteve online.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër ofrimin e shërbimeve online në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ku aplikimet për barnat kryhen vetëm përmes portalit e-Albania dhe leja për subjektet lëshohet elektronikisht.

“Ministria e Shëndetësisë ka punuar për të kaluar online 26 shërbime në të gjithë institucionet e varësisë. Janë më shumë se 11 mijë dokumentacione në vit, të cilat do të jepen online. Në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që po ashtu lëshon autorizime të importit të barnave dhe lloje të ndryshme autorizimesh në funksion të të gjithë qarkullimit, tregtimit dhe prodhimit të barnave në Republikën e Shqipërisë, janë 17 autorizime të cilat praktikisht janë pjesë e shërbimeve online. Më shumë se 7400 dokumenta nga këto autorizime janë dhe po realizohen online”, tha ministrja.

Ajo është shprehur se revolucioni digjital ka sjellë një qasje inovatore në shëndetësi, ndërsa për shmangien e burokracive në marrjen e shërbimeve për qytetarët, Manastirliu tha:

“Sigurisht revolucioni digjital është një proces. Është një proces që kërkon, përveç të gjithë trajnimit të ekipeve tona, edhe një ndryshim në mendësi. Kjo është një qasje, e cila është duke u siguruar ditë pas dite. Çdo problematikë apo sfidë në vijim të këtij procesi është duke u trajtuar në kohë reale dhe është duke u trajtuar me shumë seriozitet nga gjithë institucionet tona. I gjithë procesi i madh i digjitalizimit, axhenda digjitale do të vazhdojë. Ministria e Shëndetësisë është një lider dhe mund të them me shumë modesti është kampion për sa i përket përfshirjes në sistemin shëndetësor të shumë programeve elektronike, duke bërë të mundur që të kemi më pak burokraci në marrjen e shërbimeve. Sot qytetarët kanë mundësi që nëpërmjet sistemit e-Albania të kenë mundësi të aksesojnë certifikata të ndryshme për sa i përket informacioneve për shëndetin e tyre, për sa i përket Kontrollit Mjekësor Bazë, përs a i përket certifikatës së vaksinimit” tha Manastirliu./albeu.com