Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që të dijë nëse materialet shfajësuese që po nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar e kanë burimin te shërbimet sekrete apo te prokuroritë serbe.
Më 20 maj në Dhomat e Specializuara po mbahet seanca e 12-të statusore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ZPS-ja.
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se ZPS-ja ka zyre në Beograd dhe kërkoi nga ky institucion që të tregojë se cilat materiale shfajësuese i ka marrë nga Serbia.
“Të gjitha dokumentet e nxjerra nga serbët duhet të na i japin neve”, kërkoi ai.
ZPS-ja tha se deri më tani ka nxjerrë mbi 5,500 materiale shfajësuese dhe se po bën këtë sa më shpejt që po mundet.
Por, avokatët përmenden disa raste kur materiale që ZPS-ja i ka siguruar më 2015, po nxirren tani për palën e mbrojtjes. Kjo sipas tyre po zvarrit procesin.
Gjatë seancës u përmendën raportimet mediale se senatori amerikan, Dick Marty, ka qenë në qendër të një komploti për vrasje nga shërbimet sekrete serbe, të cilat kanë dashur që fajin t’ia lënë shqiptarëve të Kosovës.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, pretendoi se shërbimet sekrete serbe edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, kanë ndërhyrë në dëshmi, duke i ndryshuar ato dhe kanë kanosur dëshmitarët.
Avokatët e mbrojtjes thanë se duan të dinë nëse marrja e materilave nga Serbia do të cenojë besueshmërinë e Dhomave të Specializuara.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /REL/