Mblidhet sot Asambleja e PS, çfarë pritet të diskutohet

Ditën e sotme pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00, në një kompleks të kryeqytetit.

Sipas agjendës, punimet do t’i hapë sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa pas tij do të mbajë fjalën edhe kryeministri Edi Rama.

Në asamble do të miratohen vendimet që janë marrë në kongresin e fundit. Pra ky organ do të mblidhet për zbatimin e vendimeve që u morën në Kongresin e 9 prillit.

Nga ky Kongres u shkarkuan në bllok 61 kryetarët aktualë të PS në rang bashkie, si dhe u bënë disa ndryshime në statut.

Këto vendime kanë të bëjnë si me ndryshimet statutore ashtu dhe me ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve të bashkive të PS, ndërprerje që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj. Gjithashtu do të miratohet agjenda politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Sipas burimeve mësohet se kryeministri Rama ka kërkuar llogari ndaj ministrave dhe deputetëve në lidhje me punën e bërë.

Agjenda e plotë:

Ditën e Shtunë, datë 07.05.2022, ora 10:00, në mjediset e kompleksit “Xibraku” në Tiranë do të  zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë.

Rendi i ditës së mbledhjes do të jetë:

Hapja e punimeve të Asamblesë nga Sekretari i Përgjithshëm z.Damian Gjiknuri.

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi RAMA.

Sesioni organizativ

Prezantimi i ndryshimeve në Librin e Rregullave në zbatim të Statutit të ri të miratuar në Kongresin e datës 9.04.2022.

Propozime/shtesa në draftet e rregulloreve dhe votimi i tyre.

Miratimi i agjendës politiko/organizative dhe plan-veprimi i strukturave deri në zgjedhjet vendore 2023.

Prezantimi dhe miratimi i projektvendimit për kuotizacionin e anëtarësisë së partisë për vitin 2022.

Vendimi për plotësimin e vendeve vakante në Asamblenë Kombëtare.

Diskutime të lira

Mbyllja e punimeve të Asamblesë./albeu.com/


Shtuar 7.05.2022 08:21