Mbledhja e Grupit Parlamentar, zbardhen udhëzimet e Bashës për deputetët

Ditën e djeshme Partia Demokratike mblodhi Këshillin Kombëtar i cili miratoi unanimisht rezolutën e propozuar dy ditë më parë nga Kryesia e PD kundër lëvizjes dhe veprimeve anti-statutore dhe përçarëse të ndërmarra nga Sali Berisha.

Këshilli Kombëtar konfirmoi unanimisht se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta është një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe integrimin e vendit në BE. Me votim të fshehtë dhe pasi konstatoi thyerje flagrante statutore dhe ligjore, Këshilli votoi shkarkimin nga funksionet partiake të emrave të propozuara nga Kryesia e Partisë Demokratike

Të lidhura

None found

Pas përfundimit të kësaj mbledhje, burime nga Selia blu bëjnë me dije se kryetari Basha mblodhi edhe grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje, Basha u dha udhëzime deputetëve demokratë që në veçanti t’u gjenden pranë familjeve dhe bizneseve që kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit. Po ashtu mësohet se Basha kërkoi nga deputetët që po kështu aktivitetin parlamentar të javës ta ndërthurin me aktivitetin përgatitor në strukturat e Partisë në lidhje me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë, në datë 18 dhjetor.

Basha e përcaktoi 18 dhjetorin si një ditë vendimtare për të ardhmen e PD, në të cilën nuk do t’u flasë vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve, e që do të projektojë modelin e ri të funksionimit dhe të aktivitetit politik të Partisë Demokratike.

Sipas kreut të PD-së, në Kuvendin e 18 dhjetorit do të merren vendime të rëndësishme të cilat do ta shndërrojnë Partinë Demokratike në një forcë politike moderne, për t’u dhënë shqiptarëve një model qeverisës të shkëputur nga e kaluara dhe për të sjellë ndryshimin që meritojnë të gjithë. /bw


Shtuar 13.12.2021 11:00