Mbi 80% e trupave rusë të vrarë, inteligjenca amerikane zbulon se çfarë i kushtoi Rusisë lufta në Ukrainë

Gjetjet e një raporti të deklasifikuar të inteligjencës amerikane thonë se lufta në Ukrainë i ka kushtuar Rusisë mbi 315 mijë trupa të vdekur dhe plagosur, që përbën mbi 80% të trupave që kishte kur nisi konflikti.

Raporti po ashtu vlerësoi se humbjet e Moskës në personel dhe automjete të blinduara gjatë luftës me ushtrinë ukrainase e kanë kthyer 18 vjet mbrapa modernizimin e ushtrisë ruse.

Zyrtarët rusë thanë se Perëndimi e ekzagjeron numrin e trupave ruse të vrara në luftë në vlerësimet e veta dhe se, pothuajse gjithmonë, i zvogëlon humbjet e Ukrainës në këtë luftë – për të cilat zyrtarët rusë thonë se janë të mëdha.

Sipas raportit, Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 me 360 mijë trupa.

Që atëherë, 315 mijë trupa rusë, apo rreth 87% të numrit të përgjithshëm me të cilin e nisi luftën, janë vrarë apo plagosur.

Humbjet e mëdha, sipas inteligjencës, janë arsyeja pse Rusia është detyruar t’i lehtësojë standardet e rekrutimit dhe t’i thërrasë në ushtri të dënuarit me burg dhe civilët e moshuar për të luftuar në Ukrainë.

“Shkalla e humbjeve e ka detyruar Rusinë të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për ta ruajtur aftësinë për të luftuar. Rusia shpalli një mobilizim prej 300 mijë trupash në fund të vitit 2022, dhe i ka lehtësuar standardet për ta mundësuar rekrutimin e të dënuarve dhe civilëve të moshuar”, thuhet në raport.

Ushtrisë ruse i kanë mbetur vetëm 1300 automjete të blinduara në fushëbetejë dhe tani i duhet t’i përforcojë forcat ushtarake me tanke T62 të prodhuara në vitet ’70, theksoi burimi.


Shtuar 12.12.2023 20:41