“2 mld e gjysmë euro që vidhen çdo vit, po të investohen çdo vit këtu, do të thotë rroga më të larta, shumë më pak borxhe, mirëqenie, vende punë”, kështu ka thënë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në emisionin “Kjo Javë” në “News24”.
Gjatë kësaj interviste, Meta paralajmëroi se protestat janë të domosdoshme për demokracinë dhe se do të vazhdojnë. Gjithashtu i ndalur tek zgjedhjet Meta tha se janë shumë të rëndësishme dhe i bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë votën dhe të mos e shesin.
“Në fund të fundit demokracia funksionon edhe përmes ndëshkimit. Dhe në demokraci gjë më të rëndësishme se vota nuk ka, dhe qytetari duhet ta mbrojë dhe të mos e shesë, të mos e këmbejë as me një birrë apo me një pulë”, tha ai.
Ndër të tjera shtoi se me qeverinë Rama nuk mund të ketë zgjedhje daneze, por theksoi se opozita nuk do të lejojë të grabitet vota.
“Unë nuk ushqej iluzione dhe nuk pres zgjedhje daneze, por përmes pjesëmarrjes çdo qytetar duhet të mbrojë të drejtat e tij dhe të familjes dhe të tregojë se është i denjë për të qenë qytetari lirë i një vendi Europian. Padyshim opozita ka rolin e saj. Unë kam besim se situata shumë shpejt do të ndryshojë . Unë theksoj që ky është një vend që ka diell shumë dhe në këtë mënyrë nuk mund të ngrohet vetëm një pakicë”, u shpreh ndër të tjera kreu i Partisë së Lirisë./bw