Mbetjet urbane/ Tirana gjeneron 14.52 kg për frymë në vit, gati 10 herë më shumë se BE

Kryeqyteti gjeneroi në vitin 2024 mbi 257 mijë tonë mbetje, duke u bërë kështu bashkia me rekordin e mbetjeve për frymë në vit në vend.

Të dhënat e fundit nga institucionet, tregojnë se Tirana gjeneroi 14.52 kg mbetje për frymë në ditë ndërkohë që pas saj vjen Durrësi me 5.02 kg për frymë në ditë.

Të dyja bashkitë kanë nivele jashtëzakonisht të larta, madje Tirana qëndron gati 10 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian dhe këtë e citon edhe raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

“Përsa i përket sasive të mbetjeve për banore në ditë (kg/banorë/ditë), Tirana rezulton si bashkia me gjenerimin më të lartë për frymë, me 14.52 kg/person/ditë, ndjekur nga Durrësi me 5.02 kg/person/ditë.

Të dyja vlerat janë shumë mbi mesataren e çdo vendi europian (1,3 – 1,8 kg/person/ditë).Në tabelën e mëposhtme jepen sasitë e mbetjeve kg/banorë/vit për dhjetë bashkitë që kanë gjeneruar me shume mbetje gjate 2024”, thuhet në raport.

Në dhjetë bashkitë më të mëdha, raporti vlerëson se në vend të tretë ishte Fieri me 1.61kg për frymë në vit dhe pas saj Vlora me 1 kg për frymë në ditë.

Bashkia me më pak mbetje të gjeneruara, ishte Berati me 0.6 kg mbetje për frymë në ditë.

Tirana gjeneron 30% të mbetjeve në nivel kombëtar

Tirana sipas të dhënave zyrtare, gjeneron rreth 30 për qind të mbetjeve në nivel kombëtar që i korrespondon një shifre rreth 258 mijë ton2.

Bashkia e dytë është Durrësi, me 67,564 tonë. “Kjo tregon një përqendrim të lartë të gjenerimit të mbetjeve në kryeqytet dhe në Durrës, si zona me aktivitetin më të madh ekonomik në vend.

Vlora, Fieri dhe Shkodra janë tre bashkitë e tjera që kanë nivele të konsiderueshme të gjenerimit të mbetjeve, ndonëse më të ulëta se Durrësi. Kjo përkon me faktin se këto bashki kanë një aktivitet ekonomik më të zhvilluar krahasuar me pjesën tjetër të vendit”, thuhet në raport.

Në total për vitin 2024, janë menaxhuar rreth 870,883.59 ton mbetje në gjithë vendin, një shifër kjo me rritje krahasuar me vitin 2023, ku ishin menaxhuar 820,322 ton mbetje.

Tre bashki urbane, përkatësisht Tirana, Fieri dhe Saranda, raportojnë se shërbimi i pastrimit të mbetjeve mbulon 100% të territorit.

Ndërkohë, tre bashkitë rurale me mbulimin më të ulët të territorit me shërbim mbledhjeje mbetjesh janë Fushë Arrëzi, Hasi dhe Memaliaj, përkatësisht me 22%, 35.2% dhe 50%.

Vetëm 26 bashki kanë raportuar mbi menaxhimin e mbetjeve inerte.

Saranda, Elbasani dhe Durrësi, janë bashkitë me sasitë më të mëdha të mbetjeve inerte nga ato që kanë raportuar. Bashkia e Tiranës, nuk ka raportuar për mbetje inerte./ Monitor