Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar në lidhje me kthimin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, në Portin e Durrësit.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se me sekuestrimin e kontejnerëve nga prokuroria e Durrësit, testimi dhe verifikimi i lëndëve do të jetë i mbyllur, ashtu siç sipas tij dëshironte edhe mazhoranca.
DEKLARATA:
Anijet me mbetje të dyshimta kanë mbërritur sot në Durrës. Ashtu siç pritej, qeveria do të bëjë gjithçka për ta kontrolluar procesin e testimit dhe marrjes së lëndës, për të fshehur të vërtetën. Në lojë ka hyrë prokuroria e Durrësit e cila ka bërë sekuestrimin e kontejnerëve.
Kjo do të thotë se do të kemi një testim dhe verifikim të mbyllur. Pikërisht atë që dëshiron qeveria. Dhe rezultati që do dalë nga hetimi, do të jetë sigurisht ai që i përshtatet Edi Ramës. A mund të besojë ndokush sot se dy prokurorë në Durrës janë në gjendje të nxjerrin e ta bëjnë publike të vërtetën, të vërtetën që e nxjerr Edi Ramën, Mirela Kumbaron, Belinda Ballukun, Piro Vengun e shumë drejtues të tjerë, të implikuar në trafik ndërkombëtar të lendeve të dëmshme, helmuese apo toksike?
Kushdo që beson këtë, është gati të besoje se në ato kontejnerë, ka lule, ka trëndafila. Një krim shumë i rende ky bazuar në Konventën e Bazelit, ku ne aderojmë. Kjo është përgjegjësi vetëm e qeverisë shqiptare dhe vetëm asaj i duhet kërkuar llogari, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.
I bëjmë sot thirrje prokuroreve të Durrësit të mos bëhen vegla të interesave të qeverisë e të mos manipulojnë rastin për të mbrojtur Edi Ramën. Përgjegjësia e tyre para ligjit, para opinionit publik, para shëndetit e jetës së qytetarëve por dhe te familjeve të tyre, është shumë e madhe. Përsërisim kërkesën për testim transparent të mbetjeve dhe në sytë e medias, publikut, dhe ekspertëve ndërkombëtare. Sipas hetimit te kryer nga rrjeti i Bazelit ne Tajlande, ne mostrat e marra nga dheu pranë konteniereve janë gjetur te dhëna tronditëse. Bëhet fjalë për të dhëna alarmante toksike të lëndëve të rrezikshme.
Vetëm arseniku ka qenë 250 herë mbi normën e lejuar.
Mbështesim totalisht gjetjet, argumentet dhe opsionet e paraqitura nga Rrjeti i Bazelit, organizatë e cila ishte e para që sinjalizoi këtë skandal, me mbetjet që u nisen me 4 korrik nga porti i Durrësit, por që u refuzuan nga Tajlanda të dyshuara si toksike dhe që sot janë rikthyer në vendin ku u nisen. Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të reagojnë, u bën thirrje organizatave të shoqërisë civile të luajnë rolin e tyre. Mbetjet e rrezikshme kanosin jetën, mjedisin dhe fëmijët tanë. Ne s’mund ta lejojmë Edi Ramën të bëjë tregti me to, e nuk do ta lejojmë të fshehë të vërtetën.