Pesë turistë nga Mbretëria e Bashkuar, mbetën të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”.
Për shpëtimin e tyre është realizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe fatmirësisht, është bërë e mundur gjetja e tyre pas disa orësh kërkime.
Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Shpella e Pëllumbasit, Tiranë
Pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi, Policia ndihmon 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë mbrëmjes së djeshme deri pas mesnatës, u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë, dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit.
Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të veshtirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit, pas gati 5 orësh kërkime, deri pas mesnatës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 5 turistëve të huaj, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.