Pas ndarjes nga jeta ditën e djeshme të ish-kryeministrit fatos Nano, një mesazh ngushëllues është bërë edhe nga familja e Hashim Thaçit drejtuar familjes Nano.
Në mesazh, familja e Thaçit, thoë se Nano i përket gjeneratës së liderëve që transformuan politikën, e më tej shton: “Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.”
Familja në ngushëllimin që e bën edhe në emër të, ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kujton edhe përkrahjen e Fatos Nanos në çështjen e Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës.
Mesazhi i plotë:
E nderuar Familje Nano,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.
Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.
Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.
Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.
Me respekt të thellë,
Familja Thaçi
