Nga Cheryl Novak “Kathimerini”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Nuk është ndonjë sekret se që nga “kriza” e migracionit e vitit 2015, Evropa e ka pasur shumë të vështirë të arrijë një marrëveshje mbi një politikë emigracioni pan-evropiane. Ndjenjat publike dhe politike mbi këtë çështje janë zhvendosur sa nga e majta në të djathtë përgjatë viteve, duke ardhur tek propozimi i fundit, i njohur si Pakti i Ri mbi Migracionin dhe Azilin, që po debatohet aktualisht në Bruksel.
Sigurisht, Evropa nuk është e vetme në paaftësinë e saj për të arritur konsensus mbi një çështje kaq komplekse siç është emigracioni, që në nivel global është shfrytëzuar nga rrymat anti-globaliste, proteksioniste dhe populiste. Ne shohim të njëjtat sfida në SHBA, teksa Kongresi është në një ngërç në lidhje me këtë çështje.
Pakti i Ri i BE-së i ofron shteteve anëtare udhëzime për integrimin e emigrantëve, ndërsa ua ka lënë në vullnetin e tyre politikat që zgjedhin ndaj kësaj dukurie. Dhe shpeshherë rikonfirmohen arsyet dhe rreziqet e kësaj qasjeje.
Një shembull i fundit është paketa e re e emigracionit e Georgia Melonit të ekstremit të djathtë në Itali dhe debatet e pakëndshme mbi “zëvendësimin etnik”, nevojën që gratë italiane të shkojnë në punë dhe të bëjnë më shumë fëmijë, dhe zhgënjimi i emigrantëve se kush do t’i mbledhë të korrat e këtij sezoni.
Si kundërpeshë ndaj ndjenjave “jo-evropiane” rreth emigrimit, BE-ja ka nisur të vërë në punë mekanizma të mëdhenj financimi, që synojnë të mbështesin solidaritetin dhe gjithëpërfshirjen, të luftojnë racizmin dhe diskriminimin, madje edhe të përmirësojnë dhe trajnojnë emigrantët.
Por pa politikat përkatëse kombëtare të integrimit, shumë programe të BE-së kalojnë nëpër fusha të minuara të fragmentuara të politikave të integrimit, duke e pakësuar efektivitetin dhe rëndësinë e projekteve. Një nismë pilot e financuar nga BE-ja, është promovimi i integrimit ekonomik dhe social të emigrantëve nëpërmjet sipërmarrjes dhe për arsye të forta.
Sipërmarrjet private të emigrantëve janë një shtytës i njohur për rritjen ekonomike. Sipas një studimi nga Pierre Azoulay në MIT “Sloan School of Management” në SHBA, emigrantët kanë 80 për qind më shumë gjasa se vendasit për të hapur bizneset e tyre dhe janë më shumë “krijues” sesa “marrës” të vendeve të punës.
Me nivelet e sipërmarrjes së BE-së që janë aktualisht më të ulëtat më rang global, si në lidhje me kompanitë e krijuara nga shtetas të BE-së dhe emigrantë, BE-ja mund të përdorë stimujt në këtë aspekt. Por suksesi i sipërmarrjeve të emigrantëve në Evropë, varet jo vetëm nga shëndeti i ekosistemit të përgjithshëm të sipërmarrjes së BE-së, por edhe nga politikat e integrimit, siç konstatohet nga projekti ATHENA i financuar nga Fondi për Azilin, Migracionin dhe Integrimin (AMIF).
Pas gati 2 vitesh e gjysmë projekt-pilot në 6 vende të BE-së, sipërmarrësit aspirantë dhe aktivë emigrantë të të gjitha niveleve të aftësive dhe arsimit, vunë re se pengohen jo pak nga procedurat burokratike që lidhen me lejet e qëndrimit dhe qasjen tek financimi.
Përjashtim nga kjo ishte rasti ie Seviljes në Spanjës, ku emigrantëve u jepet leje qëndrimi nëse synojnë që të hapin një biznes. Rasti i studimit të Seviljes tërhoqi vëmendjen e Bankës Evropiane të Investimeve, e cila po kryen studimin e saj mbi potencialin e sipërmarrjes së emigrantëve dhe mekanizmave të financimit miqësor ndaj atyre.
Dhe rezultatet e Seviljes janë inkurajuese. Gati gjysma e emigrantëve që kanë marrë trajnime për sipërmarrjen kanë hapur bizneset e tyre dhe shpesh i kanë justifikuar financimet nga shteti. Megjithatë, për shumicën e vendeve të BE-së, vlejnë rekomandimet e përshtatura nga projekti ATHENA.
Së pari, për të shfrytëzuar fuqinë sipërmarrëse të emigrantëve, ajo duhet të njihet jo vetëm si një rrugë kyçe drejt integrimit ekonomik dhe social të emigrantëve, por edhe si një shtytës kyç për rritjen ekonomike dhe kohezionin social të BE-së.
Së dyti, duhet jo vetëm të hiqen barrierat burokratike në lidhje me lejet e qëndrimit, por sipërmarrësit emigrantë duhet të lehtësohen nga ky proces. Në lidhje me teknikat rreth fillimit të një biznesi, është thelbësore pasja e një qasje me shumë palë dhe me mekanizma koordinues në nivel kombëtar.
Emigrantët duhet të ndihmohen nga organizata kombëtare mbështetëse të biznesit, rrjete sipërmarrëse, banka dhe mekanizma të financimit jo tradicional. Shembulli i Seviljes ofron një fije shprese për sipërmarrësit emigrantë, ndërsa renditja e Holandës si një vend kryesor për sipërmarrësit nga Global Entrepreneurship Monitor të këtij viti, tregon se BE-ja mund të futet në hartën globale të sipërmarrjes.
Tani duhet të bashkohen mësimet e nxjerra nga të dyja rastet. Pakti i Ri për Emigracionin dhe Azilin mund të jetë vërtet shumë i mirë për të menaxhuar sfidën në rritje të integrimit. Por ai nuk mund të konsiderohet si gjithëpërfshirës dhe as BE-ja nuk do të përfitojë nga emigrimi pa politika integruese plotësuese.
Pas miratimit të tij, duhet që Evropa të riformulojë diskutimet rreth emigrimit dhe “emigrantëve”, në mënyrë që të kthehet tek vlerat e saj thelbësore dhe të shfrytëzojë përfitimet sociale dhe ekonomike që mund të rrjedhin nga të gjitha llojet dhe nivelet e aftësive të migrantëve. /albeu.com
Shënim:Cheryl Novak, bashkëpunëtore në Fondacionin Helen për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP).