Mbërrin në Tiranë trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos, nisin homazhet në kryeqytet

Trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos ka mbërritur në Tiranë dhe do të vendoset në Kishën Ortodokse, ku do të zhvillohen homazhe në nder të tij.

Në ceremoni do të jenë të pranishëm personalitete të rëndësishme të Kishës Ortodokse, përfshirë Patriarkun e Stambollit, Bartolomeu; Patriarkun e Jerusalemit, Theofili; Patriarkun e Bullgarisë, Danil; Patriarkun e Aleksandrisë, Theodore; Kryepeshkopin e Qipros, Jorgos dhe Kryepeshkopin e Athinës, Jeronimi.

Shërbesa e varrimit do të kryhet të enjten, më 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Për shkak të pranisë së liderëve të lartë fetarë dhe politikanëve si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ceremonia pritet të zgjasë më shumë se shërbesa standarde prej 40-60 minutash.

Trupi i Kryepeshkopit do të prehet në kriptën brenda Katedrales Ortodokse, ndërtimi i së cilës ishte një nga projektet më të rëndësishme të tij.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka shpallur pesë ditë zie, nga data 25 deri më 29 janar 2025.


Shtuar 28.01.2025 16:15