Sot, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Protesta, që do të nisë në orën 17:00, organizohet me moton “Liria ka emër” dhe pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Tubimi është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe mbështetet nga shoqata të ndryshme të ish-luftëtarëve, si dhe qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Në shenjë solidariteti me pjesëmarrësit, qeveria ka vendosur që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë gjatë së premtes, për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve që udhëtojnë drejt Tiranës për protestë.
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës ka marrë përsipër organizimin e transportit për qytetarët që duan t’i bashkohen protestës, duke vënë në dispozicion mjete të posaçme për udhëtimin drejt Tiranës.
Protesta vjen në vijim të aktiviteteve të zhvilluara ditët e fundit në Kosovë dhe në Hagë, në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po përballen me akuzat pranë Dhomave të Specializuara.
Organizatorët kanë bërë thirrje për një tubim paqësor dhe dinjitoz, si shprehje e unitetit dhe e kërkesës për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Më herët një protestë e ngjashme është zhvilluar në Hagë, teksa pritet që në vijim një protestë e tillë të zhvillohet edhe në Shkup.
Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, reagoi në prag të protestës së nesërme në Tiranë, që ka në qendër mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me gjykimin nga Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë.
Në një intervistë në medie ai e cilësoi protestën si një akt të rëndësishëm për të ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe që, sipas tij, po i bëhet UÇK-së.
I pyetur nëse një protestë e ngjashme do të organizohet edhe në Shkup, Ahmeti u shpreh se kjo është vetëm çështje kohe. “Është duke u biseduar me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me siguri që janë në kontakt me shoqatat e veteranëve të luftës në Kosovë. Është çështje kohe se kur do të organizohet”, deklaroi ai.
Ahmeti theksoi se protesta nuk përfaqëson një grupim politik, por ka një karakter gjithëkombëtar, duke bashkuar të gjithë ata që ndajnë të njëjtën ndjenjë solidariteti me ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Ne kemi spostuar edhe fushatën për shkak të protestës. Të gjithë jemi UÇK. Nuk është protestë që na bashkon ndonjë grupacion, por protestë që na bashkon Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie të madhe që i bëhet ushtrisë sonë.
Të gjitha aktivitetet për nesër janë të ngrira, sepse kjo protestë ka dimension kombëtar, me mesazhe të qarta për tribunalin se UÇK nuk është ndërmarrje kriminale, por organizatë çlirimtare”, u shpreh Ahmeti.
Ai akuzoi prokurorinë se ka devijuar çështjen drejt akuzave të pabazuara, duke folur për dëshmi të fabrikuara.
“Gjyqi ndërroi akuzë, për raste të paqena të trilluara nga dëshmitarë interesaxhi dhe shpifës, dhe kjo na irritoi pa masë. Prokurorët devijuan lëndën nga “shtëpia e verdhë” në lëndë të sajuara nga njerëz me qëllime të këqija, por edhe të motivuar nga shërbimet sekrete të Serbisë”, theksoi ai.
Protesta në Tiranë pritet të shërbejë si një thirrje publike për drejtësi, duke mbledhur qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së.