Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës dhe homologët e tyre nga Ministria e Punëve të Jashtme e Lituanisë, mbajtën konsultimet e para politike mes dy shteteve. Takimi u mbajt në Vilnius të Lituanisë, ndërsa bisedimet i drejtoi zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti dhe zëvendësministrja Jovita Neliupšienė.
Ahmeti njoftoi homologen e tij për zhvillimet e fundit dhe progresin që ka shënuar Kosova në dy vitet e fundit, derisa gjatë takimit u diskutua edhe për ngritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe ambientit, njofton MPJD.
Në kuadër të marrëdhënieve multilaterale, sipas të njëjtit njoftim, është biseduar edhe lidhur me agjendën evropiane të Kosovës si dhe mbështetjen që mund të ofrojë Lituania përgjatë procesit integrues të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.
Agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën ishte po ashtu një nga temat e takimit. “Të dyja palët diskutuan ndikimin e këtij agresioni në rajonet përkatëse dhe rëndësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
Zëvendësministri Ahmeti, ndërkaq e ka falënderuar homologen Neliupšienė për mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për Kosovën dhe të dy u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin mes të dyja vendeve.