Deputetja e opozitës, Elda Hoti gjatë tensioneve në Kuvend në një moment nxori një shishe të vogël duke spërkatur deputetët e mazhorancës.
Këto të fundit pretenduan se shishja e hedhur kishte benzinë, madje për këtë u përjashtua edhe nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Por përmes një mesazhi në emisionin “Opinion”, deputetja demokrate sqaroi se nuk ishte benzinë, por ishte parfum, sipas saj si shenjë revolte pas dhunimit të deputetëve nga ana e Gardës.
“Nuk kam hedhur benzinë, por parfum si shenjë revolte pas dhunimit të deputetëve nga ana e Gardës, të cilët e theksoj nuk ishin të përjashtuar. Me urdhër të Spiropalit ne nuk jemi futur dot për 30 minuta, na u mohua ushtrimi i detyrës sonë të drejtë të cilën nuk na e kanë dhënë këta të korruptuar, por qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Kjo është e paprecedentë, nuk mjaftoi kjo…Në shkelje të rregullores dhe çdo ligji futën Policinë në Kuvend dhe kërcënuan deputetët. Tentativë për të trembur opozitën, Edi Rama nuk do t’ja dalë”, shprehej Elda Hoti.