Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me procesin e emërimeve në institucionet e pavarura, duke akuzuar mazhorancën se po e çon vendin drejt një “shteti njëpartiak”.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Bardhi shprehet se Shqipëria po lëviz “në drejtimin e gabuar”, duke kaluar nga një demokraci parlamentare drejt përqendrimit të pushtetit në duart e një force të vetme politike.
Sipas tij, mazhoranca po emëron e vetme drejtuesit e institucioneve që, sipas Kushtetutës, duhet të jenë të pavarura nga qeveria, duke përmendur mes tyre Avokatin e Popullit dhe Bankën e Shqipërisë.
Ai shton se një qeveri që përqendron pushtetin, dobëson institucionet e pavarura dhe ushtron kontroll mbi to, nuk e afron vendin me Bashkimin Europian, por përkundrazi e largon nga ai.
Reagimi i Bardhit:
SHQIPËRIA🇦🇱NË DREJTIMIN E GABUAR: NGA DEMOKRACI PARLAMENTARE DREJT SHTETIT NJËPARTIAK!
Mazhoranca po emëron e vetme institucionet që duhet të jenë të pavarura prej saj, nga Avokati i Popullit tek Banka e Shqipërisë.
Kur një parti merr në dorë institucionet kushtetuese, që duhet ta kontrollojnë atë, balanca e pushteteve zhduket. Kjo nuk është më demokraci parlamentare. Është shtet njëpartiak.
Dhe një qeveri që përqendron pushtetin, dobëson institucionet e pavarura dhe i kontrollon ato, nuk afrohet me Bashkimin Europian, largohet prej tij!
