Masivi me pisha në Elbasan përfshihet nga flakët, zjarri rrezikon banesën dhe një resort turistik

Mesditën e sotme, një tjetër vatër zjarri mjaft aktive ka shpërthyer në territorin në periferi të qytetit të Elbasanit. Vatra e dytë e zjarrit në këtë bashki sipas burimeve zyrtare, është aktive në zonën e njohur si “Rruga e Teqes Mengel” në Elbasan.

Zjarri ka përfshirë një masiv me pisha dhe shkurre dhe flakët janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke krijuar një situatë serioze për sigurinë e banorëve dhe pronave përreth.

Zona e prekur ndodhet shumë pranë një resorti të njohur në periferi të qytetit, si dhe dhjetëra banesave të Mengëlit, çka e bën situatën edhe më shqetësuese.

Për shkak të temperaturave të larta, erës dhe bimësisë së thatë, zjarri është përhapur me ritme të shpejta duke vështirësuar ndërhyrjen dhe kontrollin e flakëve.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Elbasanit të cilat ndodhen në terren që prej orëve të para të përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mjete dhe punonjës nga stacioni zjarrfikës i bashkisë Librazhd.

Kjo mbështetje vjen si pjesë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e emergjencave të këtij lloji.

Forcat zjarrfikëse po punojnë në kushte të vështira për të frenuar përhapjen e flakëve, duke synuar të mbrojnë resortin dhe banesat pranë zonës së rrezikuar.

Aktualisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet në sipërfaqen pyjore janë të konsiderueshme dhe situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme.

Autoritetet kanë vendosur në gatishmëri strukturat e mbrojtjes civile, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes dhe të shmangin qëndrimin pranë zonës së zjarrit.

Gjithashtu, kërkohet që çdo sinjal për shpërthim të vatrave të reja të raportohet menjëherë te shërbimet përkatëse.

Hetimet paraprake për shkaqet e zjarrit kanë nisur, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme apo për shkak të kushteve natyrore dhe pakujdesisë njerëzore.

Zjarret në këtë periudhë të verës vijojnë të jenë një kërcënim serioz për mjedisin dhe pronën private, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të ngjashme. Ky është zjarri i dytë masiv i regjistruar në periferi të qytetit të Elbasanit.


Shtuar 1.07.2025 15:57