Mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit që të investonin në bursa fiktive, arrestohet administratori i Call Center-it

Administratori i një Call Centeri në Tiranë është arrestuar, ndërsa ka filluar hetimi në gjendje të lirë për 4 operatorë.

Policia bën me dije se është arrestuar në flagrancë shtetasi  O. Q., 30 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit call center.

Ka nisur procedimi  penal për shtetasit: A. B., 23 vjeçe, A. H., 23 vjeçe, E. D., 32 vjeç dhe P. T., 25 vjeç, të katërt banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. Q. administronte një subjekt privat call center, në rrugën “Dritan Hoxha”.

Në këtë subjekt ishin të punësuar si operatorë shtetasit A. B., A. H., E. D. dhe P. T., të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/