Reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një apel prekës për vajzën e tij, Ninën, të cilën thotë se nuk e ka parë apo takuar që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Në një deklaratë të gjatë, ai shpreh zhgënjimin dhe dhimbjen për mungesën e kontaktit me të bijën, duke sqaruar se ka bërë përpjekje të vazhdueshme përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, por edhe përmes avokatëve të përfshirë në çështje.
Fero tregon se përfaqësuesja ligjore e ish-partneres së tij, modeles Arbenita Ismajli, i kishte premtuar mundësinë e takimit me vajzën nëse ai pranonte të nënshkruante një marrëveshje. Sipas tij, marrëveshja u firmos pa kushte, vetëm me shpresën për t’u ribashkuar me Ninën. Ai kritikon ashpër edhe Gjykatën Themelore të Gjilanit, të cilën e akuzon për neglizhencë që nga tetori, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të zbuluar vendndodhjen e vajzës apo për të lehtësuar kontaktin midis tyre.
Postimi i plotë:
Deklaratë Publike
#drejtësipërNinën
Mashtrimi Profesional nga Motra e Presidentes
Në cilësinë e prindit të vajzës sime të mitur, Nina Shabani, kam qenë në kërkim të vazhdueshëm të kontaktit me vajzën përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, si dhe përmes përfaqësuesve ligjorë të palës tjetër.
Avokatja Blinera Osmani – motra e Presidentes së Kosovës – më ka premtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se, nëse nënshkruaj një marrëveshje, do të më mundësohej kontaktimi dhe takimi me vajzën time të mitur, për të cilën momentalisht nuk kam as informata të sakta lidhur me vendndodhjen e saj.
Duke qenë në një gjendje të rënduar emocionale, pasi nuk e kam takuar vajzën time që nga muaji tetor i vitit të kaluar, kam vepruar me besim të plotë ndaj çdo fjale të thënë nga përfaqësuesja ligjore e palës tjetër. Kam nënshkruar marrëveshjen pa asnjë kusht tjetër, me shpresën dhe bindjen se do të më mundësohej kontakti me vajzën time. Pasi kam nënshkruar marrëveshjen dhe kam përmbushur çdo kërkesë të palës tjetër, i jam drejtuar avokates për realizimin e premtimit – takimin me vajzën. Në përgjigje, ajo është shprehur se klientja e saj nuk po i lajmërohet dhe se nuk di çfarë të bëjë më tej, duke u tërhequr nga çdo përgjegjësi për zotimin e dhënë ndaj meje.
Ndërkohë, Gjykata Themelore e Gjilanit është në një gjumë të thellë që nga tetori i vitit të kaluar dhe nuk ka marrë ende masat e duhura as për të përcaktuar se ku ndodhet vajza ime, as për të mundësuar realizimin e kontaktit mes meje dhe saj.