Mashtrimi me Call Centerat, Ish-operatori zbardh skemën: Puna ndahej në tre departamente, roli i brokerit

Skemat e mashtrimit të shtetasve të huaj nga Call Center-at shqiptarë janë të mirëorganizuara dhe të komplikuara.

“Në Shënjestër” në News24 ka sjellë dëshminë e një prej operatorëve që punonte më parë në këtë platformë.

Sipas operatorit që preferoi të mbetej në kushtet e anonimatit, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë në një kompanitë e thirrjeve mashtruese me qendër në Tiranë, ata i prezantoheshin gjahut të tyre me emra të krijuar, ndryshe nga gjeneralitetet e tyre të vërteta.

“Qendra ku unë punoja, ndahej në tri departamente dhe tavolina sipas gjuhëve të huaja të ndryshme.

 

 

Departamenti i parë përbëhej nga të punësuar që kishin rolin si ‘broker’, të cilët telefononin numra të zgjedhur rastësisht për t’i bindur që të investonin.

Brokeri më pas ia kalonte viktimat e tij departamentit të ‘aperturave’, i cili merrej me hapjen e depozitës dhe derdhjen e parave.

Pasi klienti kryente depozitën e parë, ai kalonte në departamentin e ‘account manager’, i cili ishte konsultenti financiar që bënte analizë të tregjeve financiare dhe e bindte klientin të investonte sa më shumë”, thuhet në dëshminë e ish-operatorit.

Sipas operatorit, i cili tashmë është tërhequr nga puna e tij si broker në Call Center, mënyra për t’i bindur sa më shpejt klientët që të investonin, ishte ajo e kthimit 100 përqind të normës së investimit të tyre, ndërsa gjatë këtij bashkëbisedimi ata krijonin një profil të viktimës së tyre, përpara se ta ftonin të investonte në skemat e tyre fiktive.

“Telefonatat bëheshin nga broker të kompanisë në shumë vende të Evropës, por kompania nuk pranonte depozita nga shtetas shqiptarë me banim në Evropë”, tregon ai.

Një ndër teknikat që operatorët e qendrave të thirrjeve përdornin për t’i bindur viktimat që të investonin në skemat mashtruese, ishte shfrytëzimi i mosbesimit që shumë prej tyre kishin ndaj bankave dhe konsulentëve që punojnë në institucione financiare, si dhe premtimi për fitime të shpejta.

“Unë u thoja se në shërbimin që ofrojmë ne, është klienti ai që drejton paratë e tij dhe fitimi tërhiqej brenda muajit, brenda ditës, javës, kurdo që ai të zgjidhte”, thuhet në dëshminë e ish-operatorit./bw