Mashtrimi me “Call Center-at” nga kullat e Tiranës, “Le Iene” zbulon si funksiononte skema përmes një të infiltruari: Kërkonin investime deri në 200 mijë euro!

Emisioni investigativ Italian “Le lene”, ka publikuar investigimin lidhur me “Call Center”-in qe operonte nga Tirana duke mashtruar shtetas nga vende të ndryshme, duke iu kërkuar të investonin shuma të ndryshme parash.

Grupi kriminal që u godit dy ditë më parë nga SPAK, ashtu siç edhe është bërë publik, ushtronte aktivitetin ne një nga kullat luksoze të Tiranës. “Le lene” kishte marrë informacione nga shtetas italianë për se iu ishin bërë mashtrime përmes telefonit dhe kishin humbur shuma të konsiderueshme.

“Le lene” raporton se arriti të infiltronte njeriun e tyre në grupin e “Call Center”-it, i cili arriti të zbulonte mekanizmin sesi funksiononte.

Një numër i konsiderueshëm personash që punonin për kompaninë mashtruese telefononin njerëz të ndryshëm duke i nxitur të investonin në platformë, me shuma që nisnin nga 250 euro dhe arrinin në 200 mijë euro.

Një nga këshillat që iu dha të infiltruarit të “Le lene” ishte se personat që telefonoheshin, nuk duhet të lejoheshin të fitonin më shumë se 30-50 euro në ditë që të nxiteshin për të investuar sërish.

Ndërkaq, një nga italianët e punësuar në “Call Center” i tregoi të infiltruarit të “Le lene” se ai vetë personalisht nga puna gjatë një muaji kishte arritur të fitonte 3500-10 000 euro në muaj.

Brenda mjediseve të “Call Center”-it raportohet se telefonave personalë iu bllokohej kamera, në mënyrë që askush të mos filmonte dhe fotografonte.


Shtuar 18.01.2026 23:04