Masat për festat e fundvitit, policia sekuestron qindra kapsolla dhe fishekzjarre

Policia e shtetit ka sekuestruar qindra kapsolla dhe fishekzjarre, me fuqi të lartë plasëse, në kuadër të masave me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në prag të festave të fundvitit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, zbatimin me rigorozitet të detyrave të përcaktuara në planin e masave për të garantuar mjedis të sigurt për qytetarët.

Ndërsa fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Njoftimi i Policisë

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në prag të festave të fundvitit.

Sekuestrohen qindra kapsolla dhe fishekzjarre, me fuqi të lartë plasëse.

Plani i masave parashikon kontrolle të vazhdueshme, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit, të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, për të mos rrezikuar qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe jetën e shëndetin e qytetarëve.

Bazuar në ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”; urdhrin e MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, urdhrin e përbashkët të MB, MM dhe MFE “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, si dhe në telegramin e DPPSH për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve”, strukturat e Policisë në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në subjekte tregtare dhe në ambiente të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurtë për qytetarët, në prag të festave të fundvitit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, zbatimin me rigorozitet të detyrave të përcaktuara në planin e masave, detyra të cilat konsistojnë në:

-Zbatimin me rigorozitet të planeve të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, nga subjektet e licencuara, si dhe

-Intensifikimin e kontrolleve në territor dhe në këtë kuadër, ndihmësspecialistët e Policimit në Komunitet/SPZ-të, patrullat e përgjithshme, ndihmësspecialistët për kontrollin e armëve, duhet të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentimin e tyre dhe bllokimin e sendeve të kundërligjshme.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit, reagim të shpejtë dhe të paanshëm./albeu.com/