Masakra në Tiranë mund të ishte parandaluar/ Vendimet që liruan nga burgu Dan Hutrën, reagon Gjykata e Tiranës: Gjyqtari ka zbatuar ligjin

Pas publikimit të 2 vendimeve të marra nga Gerd Hoxha për dënimin e Dan Hutrës, Gjykata ka reaguar duke deklaruar se vendimi i marrë nga gjyqtari është në zbatim të ligjit, pasi është në përputhje me kërkesën e prokurorit.

Pavarësisht precedentëve të 40 vjeçarit, i dënuar më parë për vrasjen me thike të bashkëshortes së tij, përdhunimin e kunatës dhe pengmarrjen e mamasë së kunatës, gjyqtari Gerd Hoxha u mjaftua që ai të kryente vetëm pak muaj burg për dhunimin e bashkëjetueses se tij Elena Hysa, të cilën e plagosi këtë të mërkurë në tentativë për ta vrarë.

“News24” ka siguruar 2 vendimet e gjyqtarit Gerd Hoxha. Në të parin ai e dënoi Dan Hutrën vetëm me një vit burg, ndërsa në tjetrin e liroi përfundimisht.

Deklarata e Gjykatës

Gjyqtari Gerd Hoxha ka zbatuar ligjin! Dënimi është ai qe ka kërkuar prokurori. Aplikimi i gjykimit të shkurtuar nuk u kundërshtua as nga prokurori dhe as nga palët. Lirimi ka ardhur vetëm pasi kishte kryer gjithë dënimin e kërkuar nga prokuroria.

Kujtojmë se në vendimin e gjykatës, që mban datën 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky dënim i ulët në argumentimin e gjyqtarit Gerd Hoxha thuhet se është marrë për disa arsye.

Së pari, vepra është kryer me dashje nga i pandehuri, i shtyrë nga xhelozia, i pandehuri ka ndërmarrë veprime aktive, duke e kërcënuar (jo kanosur) me fjalë por, pa e goditur viktimën e pa i shkaktuar asaj dëmtime fizike; faktin se, i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; faktin se Huta dhe viktima prisnin një fëmijë, ndaj të cilit i pandehuri ka detyrime themelore për rritje dhe edukim.

Gjithashtu sipas gjyqtarit, autori ka një nënë te moshës 74 vjeç, e cila vuan nga disa sëmundje dhe gjithashtu, kërkon kujdes shëndetësor të vazhdueshëm që mund të sigurohet nga i pandehuri.

Ndërkohë që në vendimin tjetër te firmosur nga gjyqtari hoxha, me 16 shkurt, firmoset shuarja e masës së sigurisë dhe lirimi i Dan Hutrës.

Kjo për shkak se më 16 shkurt bëheshin 8 muaj nga arrestimi dhe duke qenë se paraburgimi llogaritet 1.5 dite, atëherë 8 muaj paraburgim ishin ekuivalente me 12 muaj vuajtje dënimi.
Por para se te bëhej publik vendimi i shuarjes së masës së sigurisë për Dan Hutrën, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm publikoi me detaje se si ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Hutrës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në detyrim për paraqitje.
 

/albeu.com/

 


Shtuar 2.03.2023 16:14

Tags: