Masakra e Urës Vajgurore, SPAK kërkon burg përjetë për Fran Marashin

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Fran Marashin, i akuzuar për ngjarjen e njohur si “Masakra e Urës Vajgurore”, ku humbën jetën 5 punonjës policie. Gjykata e Lartë kishte vendosur rigjykimin e dosjes 28 vite pas ngjarjes.

Pas arrestimit dhe ekstradimit të tij, Fran Marashi ka pretenduar se nuk i janë respektuar të drejtat dhe liritë themelore për një proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit në mungesë. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për gjyqin që u zhvillua në vitet 1999-2000 në ngarkim të tij.

“Mua nuk më ka njoftuar askush, as prokuroria as gjykata,” ka thënë Marashi gjatë argumenteve të tij. Ai ka kërkuar rihapjen e çështjes dhe rigjykimin e saj në përputhje me standardet e drejtësisë.

Në vitin 1997, ngjarja e njohur si “Masakra e Urës Vajgurore” tronditi vendin, ku u vranë 5 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Pas shumë vitesh, drejtësia po përpiqet të sqarojë plotësisht këtë ngjarje tragjike dhe të sigurojë një proces të drejtë për të gjithë të akuzuarit.


Shtuar 21.01.2025 16:34

Tags: